Zyrtari i PPE mesazh Bashës e Ramës: Jeni në një udhëkryq historik
Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike ishte i pranishëm edhe ish-Nënkryetari i Partisë Popullore Europiane, Mario David, i cili më tepër sesa për demokracinë e brendshme në këtë frocë politike foli për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
David që në nisje të fjalës së tij theksoi se Shqipëria ndodhet sot në një udhëkryq historik, ndaj i adresoi një mesazh potencial Lulzim Bashës, të cilin e kishte përballë, por edhe kreut të qeverisë Edi Rama në distancë.
Duke marrë shembull rrugëtimin e vendit të tij Portugalisë drejt BE-së, David la të kuptohej se Shqipëria mund të bashkohet me unionin vetëm nëse të gjitha forcat politike lënë mënjanë ndasitë mes tyre dhe për një qëllim të vetëm siç është ëndrra evropiane e shqiptarëve të “flasin me një zë të vetëm”.
Ai tha se BE përveç përmbushjes së reformave do të monitorojë frymën e bashkëpunimit të politikës vendase për interesin kombëtar dhe është i rëndësishëm fakti se PD e konsideron integrimin e Shqipërisë mbi politikat partiake.
“Partia Demokratike nuk duhet ta zhgënjejë Shqipërinë. I dashur Lulzim të jeni të sigurt se Shqipëria do të gjykohet vetëm me meritat tuaja. Ndonjëherë do të duket sikur ka një bllokim dhe pikërisht aty duhet të tregoni këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë tuaj. Shqipëria duhet të jetë një shtet ku sundon ligji, ku të drejtat nuk abuzohen, ku vlerat e BE-së janë plotësisht të ndara nga ju. Këto janë pengesat që mund të bllokojnë rrugën tuaj drejt anëtarësimit”, deklaroi David.
Në vijim ai shtoi se hapja e negociatave kërkon një qeveri më transparente dhe më të përgjegjshme dhe “pa ndryshim të qëndrimit të qeverisë, të gjitha përpjekjet e negociatave do të jenë të pafrytshme”.
David ndërkohë tha se “nga një lexim i raportit ai duket të jetë shumë pozitiv dhe qeveria e ka përdorur për propagandën e saj, por me një vështrim më serioz dhe objektiv del qartazi se kishte vetëm ndryshime kozmetike dhe reformat e vërteta janë ende të pambaruara”.
“Le të mos e mashtrojmë veten”, theksoi ai, pasi “ekziston një rrugë e gjatë që negociatat e ardhshme konkrete të jenë të suksesshme”.
“Më shumë duhet të ishte bërë nga qeveria në reformën në drejtësi dhe reformën e administratës publike. Ne të gjithë e dimë se në korridoret e Brukselit, kritikat kryesore kundër vendit tuaj janë masat e munguara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në Bruksel thuhet në prapaskena se ka bashkëpunim mes shtetit dhe mafies në trafikimin e drogës, qenieve njerëzore dhe armëve. Ky imazh duhet të ndryshojë rrënjësisht. Perceptimi i pandëshkueshmërisë për ata që i kryejnë këto krime duhet të marrin fund. Ky imazh duhet ndryshuar rrënjësisht”, theksoi David./gazeta Shqip.com