Kuvendi i PD Selami Bashës: Lidershipi nuk është pushtet dhe pozitë, por vlerë
Ishte i vetmi ndër kritikët më të mëdhenj të Lulzim Bashës në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe ashtu siç pritej, Eduard Selami ka “shpërthyer” duke ia thënë në sy kryetarit të PD se ky statut që në thelb “blindon” pozitat dhe rrit kompetencat e tij “është më i keqi në historinë e partisë”.
Sipas Selamit problemi i vërtetë i PD-së është mungesa e demokracisë së brendshme dhe aftësia për t’u përballur me humbjen pasi që prej 2013-s nuk është bërë asnjë analizë se pse PD ka rënë në derexhenë e sotme.
“Ky është statuti më i keq që ka pasur PD. PD nuk ka pasur problem statuti. Ka problem me demokracinë e brendshme, ka problem me respektimin e statutit, jo me statutin. Ne dhamë disa premtime të cilat nuk gjenden në projekt-statut. Premtimi që ju dhatë që pas asaj fushate pas humbjes, do bënim një analizë të thellë. Janë tre humbje rresht. Që nga 1995 kemi një rekord shumë të keq, jemi 50%, 2 herë më pak në pushtet se PS-ja. Sepse nuk kemi vepruar si PD. Fatkeqësisht akoma po nxitojmë”, u shpreh Selami, i cili në këtë moment u fishkëllye nga dhjetëra delegatë, që i kërkuan të largohet nga salla.
Ish-kryetari i PD theksoi se kjo parti ka qenë për vite me rradhë “promotore e integrimit dhe ka një përputhje që kur PD ka qenë parti e vlerave, Shqipëria ka ecur përpara”. Por me këtë statut gjërat sipas Selamit ndryshojnë dhe “PD vendoset në shërbim të një njeriu, të kryetarit”.
Duke ju drejtuar Bashës ai i tha: “Zoti Basha, lidershipi s’është pushtet dhe pozitë, është vlera, morali. Ky nuk është statuti i bashkimit, është i përjashtimit, fjala përjashtim në statut përmendet disa herë.”
Më tej Selami kërkoi nga kryetari i PD që të tërheq këtë statut dhe të lejojë demokracinë në PD, ndërsa u tregua i ashpër kur tha se në zgjedhjet e fundit, ku ishte personalisht përballë Bashës, u konstatuan se u vodhën vota brenda vetë gjirit të PD.
“Zoti Basha tërhiqe këtë statut, mbaj premtimin, hape PD-në, bëj analizën e humbjeve, e treta për PD, dhe kjo punë vetëm do vazhdojë nëse vazhdon kështu. PD do mbijetojë nëse do largoheni. Faktet treguan një video duke vjedhur votat brenda nesh. Mund të jetë një nga ata që bërtasin. Si mund të jemi ne partia e lirisë dhe demokracisë kur vidhen votat brenda nesh? A doni ta bëni si në 1995? Bëjeni. Unë jam këtu për të treguar se kjo nuk është rruga për PD-në, as për opozitën, as për të djathtën. As për Shqipërinë”, deklaroi Selami.
Kur nënvizoi se lista do jetë e kryetarit sërish, Selami u fishkëllye, por refuzoi që të largohej duke thënë: “Ç’punë ka Rama me statutin mor vlla, do që unë të iki? Unë s’kam ndër mend të iki se në 95 kërkuat ikjen time dhe vajti ku vajti Shqipëria. Për këtë brohorisni ju? Shumë keq, mos mendoni se unë ju drejtohem vetëm ju, i drejtohem edhe demokratëve që janë aty jashtë, të heshtur”./gazeta Shqip