Basha: Kam bërë gabime dhe kam pranuar përgjegjësinë; Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare, as poza fotografike
Miratimi i statutit të ri, i cili forcon pozitat e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike, është arsyeja kryesore përse sot në Pallatin e Kongreseve mbahet Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike.
Kundër këtij statuti janë rreshtuar shumë kritikë të Bashës, si Jozefina Topalli, Astrit Patozi e Majlinda Bregu dhe kryetari i PD kishte zgjedhur pikërisht sallën e mbushur me rreth 7000 delegatë që të shtrinte dorën e “pajtimit” ndaj tyre.
basha e nisi fjalën e tij duke nxjerrë në pah problemet e qeverisë së Edi Ramës dhe zhytjen e popullsisë në depresion e krizë, por mesazhin më të fortë e pati për ata që largoi nga PD me listën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 qershorit.
Duke pranuar gabimet dhe dështimin për të çuar PD drejt fitores, Basha u shpreh se sot i shtrin “dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuoj dhe të bashkohet me PD” për t’i rikthyer shpresën Shqipërisë.
“Unë kam bërë gabimet e mia për të cilat kam pranuar përgjegjësinë time. Gjithçka e kam bërë e kam bërë me qëllimin për t’i shërbyer njerëzve. Jam i vetëdijshëm për gabimet e mia të diktuara nga rrethanat ku vendi ndodhej. Kam dëgjuar kritikat tuaja dhe i kam mirëkuptuar ato. Kam besimin se së bashku me ju duke mësuar nga gabimet do ta fuqizojmë partinë tonë, dhe do ta bëjmë fituese, sepse PD është shpresa për shqiptarët. Gjatë muajve të fundit ka pasur akuza dhe sulme personale. Kam zgjedhur të mos përgjigjem sepse si kryetar partie më takon mua të parit të jem më i matur. Ndaj dua sot sërish nga ky Kuvend i madh t’i shtrij dorën gjithsecilit që dëshiron të kontribuojë dhe të bashkohet me ne për t’i dhënë shpresë shqiptarëve. Dora ime do të mbetet e shtrirë jo për pazare, as poza fotografike, por për të arritur suksesin”, u shpreh Basha.
Lideri i PD theksoi se ndodhemi në një ore kritike për vendin, pasi sipas tij “politika i ka braktisur dhe i ka zhgënjyer njerëzit” dhe “Shqipëria nuk do t’i harrojë lehtë këto vite”.
“Ajo që na bashkon sot është dashuria për vendin dhe vlerat që ndajmë për lirinë, individin, dinjitetin njerëzor, drejtësinë e vërtetë, mundësitë e barabarta për të gjithë. Na bashkon shqetësimi i thellë për krizën kombëtare, depresionin e thellë shoqëror dhe udhëkryqin ku ndodhet vendi. Mblidhemi kundër një qeverie që ka plaçkitur qytetarin për të favorizuar oligarkun, ka futur kriminelët në zyrat e shteti, ka mbushur vendin me drogë”, u shpreh Basha.
“Jemi bashkë me mijëra demokratë për të nisur një tjetër rrugëtkm për Shqipërinë Europiane”, theksoi kryedemokrati.
Sipas tij, “sot e gjithë Shqipëria pret nga Partia Demokratike”.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën, e konsideroi si një “një zgjidhje të detyruar nga jashtë dhe nga brenda” dhe tha se ishte dëmtuese të PD-së në aspektin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Ajo ishte një zgjidhje e detyruar nga jashtë dhe nga brenda, ajo ishte një tërheqje e përkohshme, për t’u përgatitur, për të mbledhur forcat, për të njohur miqtë dhe kundërshtarët dhe për të rinisur sulmin tonë vendimtar deri në fitore. Edhe falë kësaj, ne jemi sot forca e vetme morale që ka kurajon të luftojë për interesat e njerëzve, për një shoqëri të lirë me mundësi për të gjithë. Eshtë e qartë sot, se krimi, bandat, droga, trafikantët e votave kanë vetëm një pengesë, vetëm një digë që ngrihet e fortë dhe e lartë: Partia Demokratike! Edi Rama e përdori marrëveshjen e 18 majit si fasadë për të mbuluar bashkëpunimin e tij me krimin për blerjen e votave dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha Basha.
Më tej, kreu i PD-së shtoi se, “veç të tjerave, marrëveshja u përdor nga propaganda socialiste për të goditur Partinë Demokratike”.
“Por, ndërsa marrëveshja e dëmtoi PD-në elektoralisht, ironia është se marrëveshja qe momenti i kthesës për vetëdijësimin dhe qëndrimet e faktorit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë dhe qeverisjes Rama. PD humbi edhe për shkak të marrëveshjes, por Shqipëria fitoi nga marrëveshja”, theksoi Basha.