Shteti Islamik, kërcënim për Azinë Juglindore
Kryeministri i Singaporit thotë se Shteti Islamik vazhdon të përfaqësojë një “kërcënim shumë real” për vendet e rajonit të Azisë Juglindore, megjithë disfatat që ka pësuar ky grup në Lindjen e Mesme.
Në hapje të takimit të nivelit të lartë të vendeve të ASEAN-it, kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong paralajmëroi se megjithë paqen aktuale, kërcënimet janë reale dhe duhen marrë seriozisht. Ai foli gjithashtu për avancimin teknologjik të rajonit duke ngritur shqetësimin se ky penetrim i teknologjisë sjell me vete kërcënime për vendet e ASEAN-it.
“Duhet të përgatitemi për të reaguar si përballë kërcënimeve konvencionale si terrorizmi, ashtu edhe kundër sulmeve kibernetike,” tha zoti Lee.
Në fjalimin e tij ai u bëri gjithashtu thirrje Bangladeshit dhe Mianmarit të punojnë për rikthimin e refugjatëve rihyinga në shtëpitë e tyre, në kushte sigurie, pa vonesë dhe me dinjitet.
ASEAN-in është një organizatë rajonale që punon për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, politik dhe të sigurisë mes 10 vendeve anëtare. Grupi përbëhet nga Brunei, Kamboxhia, Indonezia, Laosi, Malajzia, Mianmari, Filipinet, Singapori, Tailanda dhe Vietnami./VOA