Shekerinska në SHBA: Maqedonia meriton të jetë pjesë e NATO-s
Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Maqedonisë, Radmila Shekerinska ndodhet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në SHBA, ku u takua me zëvendës ndihmësen e Sekretarit të Mbrojtjes Lora Cooper dhe më zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes të Maqedonisë thuhet se në takimin me zëvendës ndihmësen sekretare të Byrosë për punë të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Elizabeth Millard, Shekerinska shpalosi argumentet në bazë të të cilave Maqedonia meriton anëtarësimin në NATO, rritjen e buxhetit dhe pagave të Armatës, rritjen e numrit të ushtarëve në misionin në Afganistan, si dhe në plan më të gjerë – kthimin e mediave kritike dhe të lira, sundimin e së drejtës, transparencë aktive për të cilët u zotua Qeveria si një ndër shtyllat kryesore kundër korrupsionit.
Përfaqësuesja e lartë e Departamentit Amerikan të Shtetit, Millard tha se vendi ka patur përmirësime dhe ka ecur para pas ngjarjeve të krizës në Kuvendin e Maqedonisë para një viti, dhe potencoi se SHBA është mike e Maqedonisë dhe nga afër ndjek dhe mbështet progresin e vendit.
Në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shekerinska u takua edhe më përfaqësuesin e lartë Matthew Palmer, i cili tha se punët në Maqedoni po rrjedhin shumë shpejtë, dhe se vendi është i gatshëm jo vetëm që të jetë pjesë e NATO-s, por të jetë anëtare e cila është aktive në Aleancë.
Në takimin me Lora Cooper, siç thuhet në njoftim, Shekerinska ka thënë se Ministria e Mbrojtjes dhe Armata e Republikës së Maqedonisë punojnë me seriozitet në implementimin e reformave të nevojshme, duke u fokusuar në strategjinë e mbrojtjes.
“Reformat në Ministrinë e Mbrojtjes, ARM dhe rezultatet tona në zhvillimin e mbrojtjes tregojnë se Maqedonia meriton të jetë pjesë e NATO-s”, tha në takim Shekerinska.
Cooper theksoi se SHBA-të e çmojnë lartë progresin e reformave në Maqedoni dhe përkushtimin e qëllimit strategjik – anëtarësimin në NATO, dhe se me vëmendje ndjekin zhvillimet në muajt e fundit, në prag të Samitit të Aleancës.
Qëllimi i takimeve të Shekerinskës në SHBA është që të sigurojë mbështetje të fuqishme në pritje të samitit të NATO-s.