AktualitetBota+Të fundit

Pompeo në Lindjen e Mesme; Ende nuk ka një vendim nëse SHBA do të tërhiqen nga marrëveshja me Iranin

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbërriti të shtunën në Arabinë Saudite. Pas vizitës në Bruksel në udhëtimin e parë jashtë vendit si shefi i diplomacisë amerikane, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo fillon sot turneun në Lindjen e Mesme me tre ndalesa: në Arabinë Saudite, Izrael dhe Jordani ku ai pritet të informojë aleatët mbi politikat e administratës ndaj Iranit.

Këshilltari i lartë i zotit Pompeo për politikat, Brian Hook, i cili e shoqëron sekretarin e shtetit në këtë udhëtim, u bëri thirrje aleatëve evropianë dhe vendeve të tjera të vendosin sanksione mbi Teheranin për të dobësuar programin e tij të raketave.

Dje, Sekretari i ri i Shtetit, Pompeo tha se nuk është marrë ende ndonjë vendim nëse Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen apo jo nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe se vazhdojnë negociatat.

Në konferencën e parë për shtyp që bëri që pas ardhjes në postin e ri, zoti Pompeo tha se “Në mungesë të një korigjimi të ndjeshëm, në mungesë të ndreqjes së problemeve dhe të metave të marrëveshjes, nuk parashikoj që Presidenti Trump t’i përmbahet marrëveshjes pas muajit maj”.

Gjatë vizitës në Bruksel, zotit Pompeo iu drejtua pyetja mbi frymën e përgjithshme në Departamentin e Shtetit. Ai tha se ishte takuar me zyrtarë e punonjës të departamentit në Uashington dhe në Bruksel. Megjithëse mund të kenë qenë demoralizuar, tha ai, ata dukeshin tani në formë të mirë shpirtërore.