AktualitetBota+Të fundit

Patriarku rus, Kirill në Tiranë: Kush është drejtuesi i kishës ruse

Ka mbërritur në Shqipëri, nën masa të rrepta sigurie, Patriarku i Kishës Ortodokse ruse, Kirill.

Patriarku rus u prit në aeroportin e Rinasit nga kryepeshkopi i kishës ortodokse shqiptare Anastas Janullatos, ndërkohë që ditën e hënë Kirill do të pritet në vizita zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti Ilir Meta. Nesër Patriarku i Moskës do të mbajë një meshë në Katedralen Ortodokse…

“Shpresoj se me mëshirën e Zotit në fund të këtij muaji do të realizohet vizita ime zyrtare në Shqipëri. Do të jetë vizita e parë në histori e primatit të Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, e cila po përjeton sot periudhën e ringritjes pas asgjësimit të plotë të fesë, të çdo simboli fetar dhe çdo shprehjeje të ndjenjës fetare si pasojë e persekutimeve më të ashpra ndaj kishës në këtë vend në shekullin XX”, ishte deklarata e shpërndarë nga Patriarku rus në momentin e njoftimit të vizitës në Tiranë, raporton Tch.

Sekretari i tij i shtypit, Alexander Volkov sqaroi se vizita bëhet me ftesë të kreut të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastasi.

Të dy kishat kanë ruajtur mes tyre prej dekadash të tëra marrëdhënie tejet të mira, e kjo i atribuohet, sipas Volkovit edhe eksperiencave të ngjashme të persekutimit anti-kishtar gjatë shekullit të 20-të.

“Aktualisht, dy kishat ndajnë pozicione të përbashkëta në raport me sfidat e ditëve tona”, vazhdon mesazhi i tij, duke shtuar se është i kënaqur “që sheh rigjallërimin e jetës fetare në Shqipëri”, e kjo siç thotë, “sjell padyshim fryte për të gjithë shoqërinë shqiptare”.

Kreu i patrikanës ruse dhe kryepeshkopi Anastas do të mbajnë një liturgji në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, me pjesëmarrjen e klerikëve të të dyja kishave.

Pas kësaj do të ketë një drekë zyrtare e pasdite, një shfaqje festive në qendrën kulturore të kishës.

Të hënën, Patriarku Kiril planifikon të vizitojë Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse në Shën Vlash të Durrësit, i konsideruar si institucioni kyç i edukimit fetar në vend.

Ai pritet të takohet gjithashtu edhe me Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe drejtues të tjerë të lartë shtetërorë.

Kush është drejtuesi i kishës ruse

Vladimir Mikhailovich Gundyayev është emri laik i Kirilit, patriarkut të Moskës dhe të gjithë Rusisë, një figurë mjaft e njohur jo vetëm brenda Rusisë dhe e lakuar shpesh nga mediat për kontradikat që ai ka krijuar.

Kirili lindi në nëntor 1946 në një familje fetare dhe në të njëzetat u angazhua në jetën e kishës duke ngjitur shkallët e hierarkisë së saj, por vetëm pas viteve ‘90 do të ngrihej fama e tij.

Para se të bëhej patriark në shkurt 2009, Kirili shërbeu si arqipeshkv dhe më vonë Metropolit i Smolenskut dhe Kalinigradit, si edhe kryetar i departamentit të kishës ortodoske për lidhjet e kishës me jashtë.

Në këtë post Kirili shkaktoi edhe polemikat e para, pasi mori nofkën “Metropoliti i duhanit” dhe u akuzua nga mediat se kishte fituar miliona duke shfrytëzuar të drejtën që ju dha kishës për të importuar cigare pa taksa në vitet ‘90, asgjë e provuar deri më sot.

Kirili u përball ashpër me krahun konservator të Kishës ortodokse ruse që e akuzuan se po afrohej me kishën katolike, megjithatë në 2016-n ai u bë patriarku i parë i kishës ruse që u takua me një papë, pikërisht Papën Françesku.

Në çështjet kulturore dhe sociale, kisha nën drejtimin e Kirilit ka bashkëpunuar shumë me shtetin rus të Vladimir Putin dhe Kirili ka mbështetur zgjerimin e fuqisë ruse në Krime dhe Ukrainën lindore.

Një nga komentet më të njohura të Kirili është ai për të drejtat e njeriut, të cilat i cilësoi herezi dhe në kundërshtim me Biblën, megjithëse nuk sqaroi se cilat të drejta të njeriut ai kundërshtonte./top channel