AktualitetBota+Të fundit

Merkel -Trump: Takim harmonik pa rezultate

Të premten kancelarja gjermane, Angela Merkel takoi në Uashington një president amerikan mjaft miqësor. Puthjet e komplimentet e Donald Trump e zbukuruan takimin, por çfarë mbeti në fund? Rezultate konkrete nuk pati.

Pritja ishte veçanërisht e përzemërt, por pas takimit tre orësh mes presidentit Trump dhe kancelares Merkel nuk mund të flitet për rezultate konkrete apo progres për çështjet e debatueshme mes dy vendeve. Gazeta gjermane „Badische Zeitung” shkruan se tek politikanët ekcentrikë gjestet e përzemërta janë shpesh boshe. „Marrëdhëniet gjermano-amerikane nuk janë aq të të këqija, sipas pesimistëve, por jo edhe aq të mira saqë konfliktet të harrohen me një buzëqeshje.” Megjithatë atmosfera ishte kësaj here shumë më e mirë në Uashington. Presidenti Trump dhe Angela Merkel u takuan për herë të parë pas nëntë muajsh.

„Kemi pasur që në fillim një marrëdhënie shumë të mirë”

Para takimit në Shtëpinë e Bardhë (27.04) Trump tha, se „ne kemi një marrëdhënie të jashtëzakonshme”, por disa nuk e kanë kuptuar këtë. Ai e uroi edhe njëherë Merkelin për fitoren e CDU-së dhe zgjedhjen e saj „Është nder i madh t’iu kemi këtu kancelare Merkel. Ne po punojmë për një sërë temash të ndryshme përfshirë tregtinë, NATO-n, apo çështjet ushtarake….kemi pasur që në fillim një marrëdhënie shumë të mirë ajo është një grua e jashtëzakonshme”, tha Trump. Dy herë i dha dorën presidenti Trump kancelares Merkel në Oval Office në Shtëpinë e Bardhë. Në vizitën e parë të Merkelit në Uashington në mars 2017, Trump refuzoi të ofronte shtrëgimin tradicional të duarve në Oval Office, që u interpretua gjatë atëherë si shenjë e marrëdhënies së ftohtë mes tyre.

Nga ana e saj kancelarja Merkel e falënderoi Trumpin duke theksuar se për të „ka qenë e rëndësishme që vizitën e parë jashtë Europës ta bëj në Uashington për të thelluar bashkëpunimin.” Bisedimet nuk ishin aspak të lehta dhe temat që përmbanin lëndë për prishjen e harmonisë transatlantike nuk ishin të pakta – doganat ndëshkuese që Trump kërkon të vërë për çelikun dhe aluminin e importuar nga BE, vënia në pikëpyetje e marrëveshjes atomike me Iranin, mbrojtja e tregtisë së lirë, kërkesat amerikane që europianët të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në NATO.

USA Washington | Präsident Donald Trump & Angela Merkel, Bundeskanzlerin (Reuters/B. Snyder)

Samiti i dy Koreve- Hap i parë

Në konferencën e shtypit, Merkel e përshëndeti samitin e dy Koreve dhe takimin e presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae In me pushtetmbajtësin koreanoverior, Kim Jong Un duke e vlerësuar atë si „hapin e parë që të shpresojmë të vazhdojë plot shpresa”. Merkel tha se „ne gjermanët e ndjejmë se ç’do të thotë, kur pas vitesh ndarjeje vendosen kontakte.” Ndërsa presidenti Trump theksoi se „presioni maksimal” dha fryte në qëndrimin ndaj Koresë së Veriut dhe se gëzohet për takimin e ardhshëm me Kim Jong Un.

„Presidenti do të vendosë”

Imazhet fotografike ishin miqësore në takimin me Merkel, por pas konferencës së shtypit, agjencia gjermane e lajmeve, Dpa shkruan se në një nga temat që i prek më shumë aktualisht europianët, kërcënimi për vendosjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin  e importuar nuk pati zgjidhje konkrete. Europianët kërkojnë të përjashtohen përfundimisht nga këto dogana. Pas bisedimeve me Trump, Merkel nuk u shpreh qartë, por tha vetëm se „presidenti do të vendosë për këtë”.

Ndërsa Trump pas takimit me Merkel u ankua për tepricat e larta europiane në tregtinë me SHBA që janë rreth 150 miliardë dollarë në vit. Trump tha se, kërkon një tregti të bazuar në reciprocitet dhe kërkon të gjejë rrugët me kancelaren Merkel se si të ulen pengesat për eksportet amerikane në Europë.

USA Washington | Präsident Donald Trump & Angela Merkel, Bundeskanzlerin (picture-alliance/newscom)

Merkel u shpreh se BE dhe Gjermania duhet të vazhdojnë të negociojnë për tregtinë me SHBA për kushte të drejta tregtare, por theksoi se Gjermania i ka ulur ndërkohë mbishtesat e saj tregtare me SHBA. Ajo tregoi mirëkuptim që kjo nuk i mjafton presidentit amerikan, Donald Trump. Kancelarja Merkel theksoi se sheh mundësi për një marrëveshje tregtare bilaterale mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, kjo sidomos kur Organizata Botërore e Tregtisë në vitet e fundit nuk ka qenë e aftë të arrijë marrëveshje multilaterale.

Irani

Presidenti Trump e quajti Iranin „një regjim vrasës” në konferencën e shtypit me kancelaren Merkel. „Ne duhet të sigurojmë që ky regjim vrasës të mos ketë në dorë armë atomike”,  theksoi Trump. Irani nuk do ta arrijë dot bombën atomike, tha ai. Presidenti amerikan njihet si kundërshtar i marrëveshjes atomike me Iranin të arritur pas shumë vitesh përpjekjesh nga bashkësia ndërkombëtare. Merkel e mbrojti marrëveshjen. „Ajo është një gur, mbi të cilin mund të vendosen të tjerë”, tha Merkel, por theksoi se ka nevojë për ndryshime. Marrëveshja është „një hap i parë”, që kontribuoi për ngadakësimin e aktiviteteve atomike të Iranit dhe mbikqyrjen e tyre, tha Merkel. „Duhet të bëhet më shumë”, tha Merkel, dhe kërkoi një kufizim të ndikimit iranian në Siri, Liban, që ajo i quajti „arsye për shqetësim të madh”. Do të vazhdojmë të jemi në bisedime të ngushta me amerikanët për marrëveshjen e Iranit, tha Merkel.

BE e Gjermania duhet të marrin më shumë përgjegjësi

BE dhe Gjermania duhet sipas fjalëve të kancelares Merkel në Uashington të marrin më shumë përgjegjësi në botë dhe fatin e tyre në dorë. Ka marrë fund koha e rendit të pasluftës, kur Europa dhe Gjermania sidomos kanë përfituar nga angazhimi amerikan, tha Merkel pas takimit me presidentin Trump. Amerikanët pyesin veten, se çfarë përfitimi kanë nga ky angazhim. Ajo e cilësoi si të drejtë, kur presidenti amerikan thotë, se Europa është ekonomikisht e suksesshme, por nuk bën shumë për angazhimin ushtarak.

Angela Merkel tha në Uashington se Gjermania e di detyrimin për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. Ne i qëndrojmë marrëveshjes së arritur në NATO për rritjen e buxhetit të mbrojtjes së shteteve anëtare, tha Merkel në konferencën e shtypit me presidentin Trump. Ajo reagoi me këtë ndaj kritikave amerikane, se Gjermania nuk bën aq sa duhet për mbrojtjen. Në vitin 2014 në NATO u ra dakord që shpenzimet për mbrojtjen të kapin 2% të prodhimit të brendshëm bruto. SHBA kërkon që kjo të arrihet më së voni në vitin 2024.

Më parë ishte presidenti francez, Emmanuel Macron në Uashington. Nëse europianët kanë pasur sukses me turin e tyre diplomatik të nivelit të lartë, kjo do të kuptohet në ditët e ardhshme, kur presidenti Trump do të bëjë të ditur vendimin e tij për përjashtimin ose jo të europianëve nga doganat për aluminin dhe çelikun./Lindita Arapi/DW