Gjermania moderne”
Gjermania po bëhet gjithnjë e më e hapur dhe e larmishme. Me udhëheqjen e duhur, ajo mund të shndërrohet në një model për Perëndimin
Që nga rënia e Murit të Berlinit, Ampelmännchen, një simbol i një njeriu të vogël me kapele dhe me ngjyrë të gjelbër, i njohur ndryshe si njeriu i gjelbër i trafikut, iu arratis shumë shpejt rrënjëve të tij të diktaturës për t’u shndërruar në ikonën më trendi të kryeqytetit modern gjerman. Në ditët e sotme, Ampelmännchen është shndërruar në një prej simboleve më të dashura të turistëve, të cilët pozojnë me modelet me përmasa njerëzore, ndërsa në dyqane ai është një prej suvenirëve më të shitura, shkruan The Economist.
Figura tërheqëse e Ampelmännchen nuk është një simbol vetëm për Berlinin, por për të gjithë Gjermaninë, e cila po hyn në një epokë të re. Ajo po bëhet gjithnjë e më e larmishme, më e hapur, informale dhe moderne. Por në pamje të parë, një përshkrim i tillë nuk duket aspak pozitiv, madje mund të cilësohet si qesharak.
Gjermania e titujve kryesorë të gazetave ndërkombëtare është një vend me qytetarë të shqetësuar dhe politikë në stanjacion. Angela Merkel, liderja jetëgjatë e politikës gjermane, është një grua e cila përfaqëson maturinë tradicionale gjermane. Në zgjedhjet e shtatorit të vitit të kaluar u pa një rritje e mbështetjes për partinë e ekstremit të djathtë “Alternativa për Gjermaninë”, gjë që ia vështirësoi punën znj. Merkel në grupimin së bashku të një koalicioni të ri, por shumë të zbehtë.
Për vëzhguesit e huaj konservatorë, Gjermania është sinonim i ndjekjes së një politike të pamatur dhe aspak të kujdesshme ndaj refugjatëve, ndërsa për të tjerët, është vendi që ndaloi hyrjen e europianëve jugorë me borxhe. Por në një këndvështrim më të gjerë, Ampelmännchen simbolizon njëkohësisht edhe mënyrën sesi Gjermania po ndryshon. Historia gjermane e pasluftës ka ecur me cikle 25-vjeçare. Fillimisht erdhi epoka e rindërtimit. Më pas, nga fundi i viteve 1960, Republika Federale filloi të bënte llogaritë me pasojat e mbartura nga paslufta.
Në fazën e saj të fundit, që pas viteve 1990, Gjermania u ribashkua, dhe u kthye në një shtet normal, duke hedhur pas faqen e së kaluarës. Tani rrotat e historisë po kthehen.
Epokës së Merkel po i vjen fundi. Shumë nga tiparet përcaktuese të vendit si homogjeniteti etnik dhe kulturor, shoqëria konformiste dhe konservatore dhe hezitimi për të treguar rëndësinë e saj në diplomacinë ndërkombëtare, papritur po ndryshojnë.
Sinjalet premtuese
Ndryshimi më i madh në politikën gjermane ka ardhur nga politika e “derës së hapur” të znj. Merkel ndaj refugjatëve, si pasojë e së cilës erdhën në Gjermani gjatë viteve 2015-‘16 rreth 1.2 milionë emigrantë të rinj. Kjo ka ndikuar rrënjësisht në shndërrimin, dikur homogjen të këtij shteti, në një ndërthurje kulturash të ndryshme.
Papritur po lind një shtet me një identitet më përfshirës, të cilit iu desh të arrinte në vitin 2000 për t’i dhënë mundësinë shumë qytetarëve, edhe pse jo me prejardhje etnike, të merrnin shtetësinë gjermane. Kultura e dikurshme mbizotëruese patriarkale tani është më e balancuar për sa i përket gjinisë, përqindja e grave në punë është rritur nga 58% në 70% në 15 vitet e fundit.
Gjermanët po divorcohen më shumë e po martohen më pak. Edhe ndërmarrjet e mesme po përqafojnë gjithnjë e më shumë teknologji si Inteligjenca Artificiale. Duke mos ndërmarrë asnjë operacion të huaj ushtarak në gjysmën e shekullit deri në vitin 1999, Gjermania ka dërguar trupa në Mali, Afganistan dhe Lituani. Pikërisht këto ndryshime po trondisin themelet e një shoqërie të qëndrueshme, duke krijuar një hendek kulturor ndërmjet atyre që përqafojnë një Gjermani të re, një Gjermani ndryshe dhe atyre që ende duan të kenë Gjermaninë e së kaluarës, ndërmjet qytetarëve dhe fshatarëve si dhe ndërmjet të rinjve dhe të moshuarve.
Domosdoshmëria e një brezi të ri ligjbërësish më luftarakë se ata që janë aktualisht, hyrja në Parlament e partisë “Alternativa për Gjermaninë” dhe beteja për drejtimin e ardhshëm nga Kristian-Demokratët e Merkel janë faktorë që nxisin debat rreth identitetit aktual të vendit.
Rezultati do të përcaktojë të ardhmen e ekonomisë më të madhe të Europës, e cila do të ketë rëndësi edhe përtej kufijve të Gjermanisë. Vendi po përballet me një shoqëri pluraliste, ashtu siç po ndodh edhe në vende të tjera. Gjermanët janë të moderuar në temperament, dhe falë historisë së tyre, ata janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj rrezikut të demagogjisë. Kjo periudhë tranzicioni për ta dhe mënyra sesi ata po reagojnë ndaj saj dhe po e kalojnë atë, mund të merret si shembull edhe nga vende të tjera.
Brenda vendit, Gjermania e re i ka zgjidhur vështirësitë ekonomike pas ribashkimit dhe po lulëzon, por gjithashtu ajo po plaket me shpejtësi; grupmosha më e madhe në Gjermani i takon moshës nga 50-54 vjeç. Por ruajtja e mirëqenies ekonomike kërkon padyshim zbatimin e reformave të tjera të ardhshme. Procesi i aksesit në industrinë e madhe të internetit është i çrregullt dhe i ngadaltë, rrugët dhe shkollat çuditërisht janë lënë pas dore, industria e shërbimit gjithashtu, dhe nën qeverisjen e znj. Merkel, mosha e daljes në pension është ulur dhe pritet që shumë shpejt ajo të jetë edhe më e ulët se në Francë.
Fluksi i madh i emigrantëve të sapoardhur në Gjermani mund të ndihmojë në zbutjen e këtij përkeqësimi demografik, veçanërisht në qoftë se procedurat e emigrimit do të jenë efikase. Arsimi gjithashtu ka shënuar progres, duke lënë pas prejardhjen e qytetarëve dhe duke parë rezultatet që ata jepnin, duke lehtësuar edhe aksesin ndaj profesioneve gjermane që funksionojnë në bazë të disa rregullave të rrepta.
Fatkeqësisht ajo është ende pre e botëkuptimit të një shteti të vogël: hezituese për të shpenzuar aq sa duhet në fushën e mbrojtjes, për t’u përballur me çekuilibrat e shkaktuara nga surpluset e saj në tregti dhe për të marrë përsipër një pjesë të barrës në Eurozonë. E megjithatë vërehen sërish shenja progresi. Nën presionin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, edhe pse me shumë hezitim, ajo do të pranojë disa lëvizje drejt integrimit të Eurozonës, megjithëse do të jenë thjesht përpjekje të pamjaftueshme.
Muajin e kaluar, ministri i ri i Ekonomisë i bëri thirrje Presidentit Trump që të hiqte dorë nga planet për të vënë tarifa mbi importin e çelikut dhe të aluminit, si ndaj vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe ndaj vendeve të tjera.
Ndërkohë, kriza e refugjatëve po zgjeron horizontet gjermane. Në kulmin e saj, znj. Merkel kërkoi një hartë me zona për të theksuar kufijtë e vërtetë të Gjermanisë: Afrikën e Veriut, Ukrainën dhe Turqinë. Pastaj kësaj, në Samitin e vitit të kaluar të G20 në Hamburg, Kancelarja i parapriu “Një marrëveshjeje me Afrikën” për të përshpejtuar zhvillimin dhe për të përmirësuar qeverisjen në kontinent. Megjithëse e ekzagjeruar dhe e nënfinancuar, kjo është një shenjë e rolit stabilizues që një qeveri e normalizuar si Gjermania mund të luajë ende.
E gjelbër për të kaluar
Të gjitha këto së bashku i japin rëndësi të madhe pasardhësit të znj. Merkel.
Stili i saj i pakundërshtueshëm dhe reaktiv janë edhe cilësitë që i përshtaten më së miri. Por një Gjermani e re kërkon edhe një lloj të ri Kancelari: proaktiv brenda vendit, ambicioz në kufijtë e jashtëm dhe me aftësitë e duhura për të bindur votuesit gjermanë për kauzën e kësaj ambicieje.
Me udhëheqjen e duhur, dyshimet mbi kapacitetin e këtij vendi do të jenë të pakta. Gjatë fazës së saj të fundit, ajo ia ka dalë mbanë të hedhë pas krahëve lidhjet me të kaluarën e saj komuniste, të kapërcejë krizën e fillimviteve 2000 dhe të pranojë mbi 1 milion emigrantë të varfër dhe të dëshpëruar. Tani ashtu si edhe në të kaluarën do të ishte vërtet një gabim i madh ta nënvlerësonin Gjermaninë. Ashtu si Ampelmännchen, ajo e zotëron ende aftësinë për rikrijim.