AktualitetPolitikëTë fundit

Meta takon Tusk: Inkurajim për thellimin e reformave

Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Presidentit Tusk në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, shenjë e vëmendjes dhe mbështetjes gjithnjë e në rritje të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vizitën dhe mesazhet inkurajuese që Presidenti Tusk përcolli gjatë vizitës së tij në Tiranë, të cilat duhet të nxitin të gjitha institucionet shqiptare drejt arritjeve konkrete në zbatim të 5 prioriteteve kyçe.

Duke shpresuar në vendimmarrjen pozitive të Këshillit të qershorit ndaj rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, Presidenti Meta theksoi se ky do të ishte një moment oportun për të marrë përgjegjësi të reja dhe më angazhuese karshi qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve evropianë.

Meta pohoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe angazhimin e shprehur qartë për kaluar në fazën e vështirë të negocimit drejt anëtarësimit.

Meta theksoi rëndësinë që ka edhe vendimi për liberalizimin e sa më të shpejtë të vizave me Kosovën, një hap i merituar që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt hapësirës Shengen.

“Pata një takim të ngrohtë dhe miqësor me #Presidentin e Këshillit Europian, @eucopresident. Inkurajim për të përshpejtuar thellimin e reformave në 5 prioritetet kyçe. Në pritje të mesazheve pozitive nga #Samiti i Sofies dhe mbledhja e #Keshillit Europian në qershor”,- shkruan Presidenti Meta në një postim në Twitter.