PolitikëTë fundit

Kosovë: Ja sa do t’i ketë qeveria shpenzimet për vitet 2019-2021

Qeveria ka miratuar Kornizën afatmesme të shpenzimeve për vitet 2019-2021, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave Bedri Hamza tha se ky dokument është përgatitur në bazë të standardeve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtarë.

Hamza tha se për këto tri vite prioritet i buxhetit do të jenë në tri fusha: arsimi punësimi dhe shëndetësia.

Hamza ka thënë se rritja ekonomike në vitin 2019 pritet të jetë deri 5 për qind, ndërsa për dy vitet tjera 20-21 deri në 5.3.

”Korniza afat mesme e shpenzimeve: hartimi i kësaj kornize i ka paraprirë një proces i gjatë.  Paraja publike në tri vitet e ardhshme do ta shpenzojmë në tri gusha prioritare arsimi punësimi dhe shëndetësia”.

“Rritja reale  ekonomike në vitin 2019 do të jetë 5%. Shpenzimet e përgjithshme 2018-2021 do të rriten mbi 2 miliardë. Kërkesat tona janë rreth 5 miliardë mirëpo mundësit tona janë këto që janë. Kur duam me rritë dikë, e zvogëlojmë dikë tjetër”.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se sektori i arsimit po trajtohet si çështje me prioritet mirëpo në shifra nuk paraqitet një gjë e tillë.

“Ka disa shifra që nuk përputhën në sektorin e arsimit. Nëse sektori i arsimit paraqitet  si prioritet, në shifra nuk tregohet një gjendje e tillë”.

“Nga informacioni që mora ka rritje 5% për arsim. Mirëpo nëse llogaritin në shifra të thjeshta rritja ne arsim është vetëm 1%. Nga ky planifikim i kornizës afatmesme do të mbulohen vetëm projektet e vjetra dhe jo të rejat”.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica tha se me buxhetin e planifikuar po mbeten shumë projekte jashtë realizimit.

“Për mua mbetet shqetësuese që nuk janë përfshirë disa projekte. Unë kam në procedurë Ligjin e punës dhe në të është përfshirë Ligji për lehonat dhe ne kemi planifikuar fond prej 15.7 milioën euro dhe nuk është përfshirë në kornizë”.

“Ne kemi proceduar dhe Ligjin për skemat pensionale dhe kjo nuk është paraparë. Nuk janë paraparë as shpenzimet për mbulimin e ujit dhe shpenzimet për familjet në nevojë. Të gjitha këto projekte na sjellin ngecje në realizimin e tyre. Unë konsideroj që është mirë që të rishikojmë edhe njëherë dokumentin”.

Gjithashtu Qeveria ka aprovuar edhe Programin e borxhit shtetëror 2019-2021. Edhe ky dokument do të procedohet në Kuvend për informim.