Ivanov: Maqedonia nuk ka çështje të hapura territoriale dhe kufitare; Qëllimet kryesore anëtarësimi në NATO dhe BE,
Pas takimit të liderëve të vendeve anëtare të Procesit Brdo-Brioni, i cili këtë vit mbahet në Shkup, mikpritësi i kësaj iniciative, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) që “të mundësojë që paralelisht të zhvillohen bisedimet për anëtarësim dhe tejkalim të ndryshimeve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë”.
Ai theksoi se Samiti i ardhshëm i BE-së që do të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë, është rezultat i kërkesave të vendeve të rajonit dhe angazhim i BE-së, por edhe gadishmëria e kryeministrit bullgar me vendosjen e vendeve të rajonit në krye të axhendës me kryesimin e Bullgarisë me BE-në.
Ivanov tha se fokusi i takimit të sotëm ishte në lidhshmërinë e rajonit, gjë e cila sipas tij, do të vlerësojë se rajoni ynë do të llogaritet si rajon i zhvilluar. Ai shtoi se rajoni ka tre gjëra që e lidhin, edhe atë lidhja ekonomike, lidhja e sigurisë, si dhe kërcënimet e tilla si emigrimi ilegal, rrjetet kriminale dhe luftëtarët e huaj të kthyer dhe terroristët, të cilat duhet të luftohen bashkërisht.
“Presim që BE-ja të mos na jep premtime të zbrazëta, sepse anëtarësimi në BE nuk është ideal i zbrazur i yni. Si rajon kemi detyrë të sigurojmë qeverisje të mirë përmes sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave fundamentale të njeriut dhe lirive”, tha Ivanov.
Presidenti maqedonas theksoi se çështjet kufitare dhe çështjet e identitetit kanë natyrë të ndryshme, ndërsa me atë paraqiten edhe pasoja të ndryshme.
“Maqedonia nuk ka çështje të hapura territoriale dhe kufitare, prandaj me të drejtë pret fleksibilitet më të madh nga Unioni. Qëllimet kryesore të Maqedonisë janë anëtarësimi në NATO dhe BE, por gjatë kohë politika e zgjerimit dështoi në rastin me Maqedoninë, jo për shkak të principeve dhe kritereve të BE-së, por për shkak të mos respektimit të atyre principeve dhe kritereve të një vendi anëtar”, deklaroi Ivanov.
“Si president i Maqedonisë i bëj thirrje Unionit të mundësojë lëvizje paralele të bisedimeve për anëtarësim dhe tejkalim të ndryshimeve bilaterale midis Maqedonisë dhe Greqisë”, shtoi Ivanov.
Grabar-Kitaroviç: Pas një periudhe ngadalësimi, në fokus zgjerimi i BE-së me vendet e rajonit
Nga ana tjetër, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç, tha se çështjet bilaterale midis vendeve të Evropës Juglinodre duhet të zgjidhen para hyrjes në BE. Ajo përshëndeti, siç tha, progresin e bërë nga të gjitha vendet gjatë kohës së fundit, si dhe bëri thirrje që të vazhdojnë me reformat të cilat sipas saj, janë në interes të qytetarëve të vendeve të këtij rajoni.
“Pas një periudhe ngadalësimi të zgjerimit që krijoi një vakum, i cili filloi me paraqitjen e palëve të treta dhe interesave të disa të tjerëve, që deshën t’i mbajnë vendet e këtyre anëve jashtë anëtarësimit në BE dhe NATO, përfundimisht mund të shohim ndryshime pozitive dhe përsëri të shohim Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian të fokusuar në zhvillimin e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore dhe të vetëdijësuar se zgjerimi dhe konsolidimi i mëtejshëm i BE-së sigurisht përfshin edhe anëtarësimin e të gjitha vendeve tona fqinje”, deklaroi Grabar-Kitaroviç.
Presidentja kroate përshëndeti rekomandimin e Këshillit Evropian për hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe Shqipërinë, duke shtuar se vendi i saj do të angazhohet që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të plotë të këtyre dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Qëndroj në atë se vlera kryesore e Procesit Brdo-Brioni është e ardhmja e secilit nga vendet tona, një e ardhme më e sigurt për qytetarët dhe një jetë më të mirë për të gjithë, por njëkohësisht një e ardhme për BE-në, e cila do të jetë më fuqishme dhe e cila përfundimisht do të jetë e plotë”, deklaroi Grabar-Kitaroviç, duke iu referuar politikave të zgjerimit të BE-së me vendet e Evropës Juglindore.
Takimi i sotëm i liderëve të vendeve të Ballkanit filloi me pritje solemne nga ana e presidentit Ivanov si mikpritës dhe nga ana e presidentes Grabar-Kitaroviç dhe presidentit slloven, Borut Pahor, si përfaqësues të Procesit Brdo-Brioni, pas së cilës pjesëmarrësit realizuan një foto familjare dhe u drejtuan në seancën plenare të iniciativës.
Në takim të pranishëm ishin edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviç, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç si dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Ndërkaq, në përputhje me praktikën e deritanishme të Procesit Brdo-Brioni, në takimin në Shkup si mysafirë nderi nga Bashkimi Evropian (BE) të pranishëm ishin edhe presidenti i Këshillit Evropian (KE), Donald Tusk dhe presidenti i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Kujtojmë se Procesi Brdo-Brioni për herë të parë u mbajt në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë. Iniciativa u emërua “Procesi Brdo-Brioni” për shkak të idesë së përbashkët të të dy presidentëve për organizimin e saj.
Vendet anëtare të Procesit Brdo-Brioni janë Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, të përfaqësuara nga presidentet e vendeve.
Brdo rrjedh nga Brdo pranë qytetit Kranj, ku edhe u mbajt takimi i parë i liderëve rajonalë dhe Brijuni në nder të bashkëorganizatorit dhe partnerit të krijimit të kësaj nisme, Kroacisë.