Ronny Jackson: Tërhiqet nga kandidimi; Nuk do të jetë kreu i Çështjeve të Veteranëve
Mjeku i Shtëpisë së Bardhë, admirali Ronny Jackson, ka vendosur të tërhiqet nga kandidimi për pozicionin e kreut të agjencisë së Çështjeve të Veteranëve. Vendimi pason nisjen e hetimeve ndaj tij nga ligjvënësit amerikanë, lidhur me akuzat për sjellje të pahijshme profesionale dhe përdorim të tepruar të pijeve alkoolike.
Të martën Presidenti Donald Trump tha se e kishte lënë në dorë të zotit Jackson për të vendosur nëse do tërhiqej prej kandidimit për këtë pozicion në kabinetin e tij, që u duk si një shtyrje që po i bënte atij drejt tërheqjes. Por pas kësaj deklarate, zoti Jackson u takua me zotin Trump dhe i tha atij se nuk do të tërhiqej nga kandidimi për të kryesuar departamentin që mbikqyr kujdesin shëndetësor për 13 milionë veteranë amerikanë dhe ku janë të punësuar 377,000 vetë.
Të mërkurën Shtëpia e Bardhë nxiti konfirmimin e zotin Jackson, kur zëdhënësja e zotit Trump Sarah Huckabee Sanders tha “puna e tij si mjek në Shtëpinë së Bardhë ka qënë në përputhje me standartet më të larta”. Ajo tha se Jackson “është vlerësuar së tepërmi” për punën e tij dhe se ai kishte diskutuar lidhur me akuzat ndaj tij me zotin Trump.
Ligjvënësit e të dy krahëve, republikanë e demokratë e shtynë për një kohë të pacaktuar seancën e planifikuar për konfirmimin e tij, ndërsa nisën hetimet rreth akuzave të pambështetura deri tani në prova, se ai ka drejtuar një mjedis toksik pune në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë dhe se pinte gjatë ushtrimit të detyrës.
Zoti Jackson ka refuzuar të komentojë publikisht rreth akuzave, por i ka mohuar disa nga pretendimet tek ndihmës të lartë të administratës, duke thënë se po sulmohet padrejtësisht./VOA