AktualitetEkonomiTë fundit

Letrat me vlerë: 96% rënie e shumës së investuar

Vetëm katër persona juridikë kanë marrë pjesë në blerjet e tregut primar ndërkohe që një vit më parë për të njëjtën periudhë pjesëmarrja ishte 16. Shuma e investuar ishte 164 milionë lekë me një rënie prej 96% në raport me një vit më pare.  Individët nga ana tjeter nga 8 miliardë lekë të investuara për blerjet e tregut primar kanë fituar terren duke e çuar në 11.9 miliardë ketë vlerë, thotë Monitor

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se volumi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë për periudhën janar-mars 2018 u dominua në masën 90.77% nga transaksionet në instrumente afatshkurtër (bono thesari) dhe pjesa tjetër prej 9.23% ishin instrumente afatgjatë (obligacione).

“Përsa i përket numrit të transaksioneve, 94.35% e të gjitha transaksioneve të tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, i takojnë transaksioneve të kryera në bono thesari.

Të dhënat statistikore të tregut me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë për periudhën janar-mars 2018 flasin për një dominim të transaksioneve “Blerje në tregun primar” dhe “Shlyerje e vlerës nominale në maturim” përkatësisht me 60.16% dhe 29.98% kundrejt volumit të përgjithshëm.

Pjesëmarrja në tregun sekondar të letrave me vlerë të qeverisë, për këtë periudhë dominohet nga investitorët individualë, të cilët kryejnë 99.77% të të gjitha transaksioneve në këtë treg” vlerëson AMF.

Ndërmjetësimi dhe blerjet para maturimit në rënie

Zhvillime interesante ka pasur edhe në dy llojet e transaksioneve të tjera sipas AMF.

Kështu transaksioni i llojit B “Shitje nga portofoli i ndërmjetësit financiar” gjatë periudhës janar-mars 2018, ka pasur një ulje prej 318 milionë lekë ose 18.59% krahasuar me periudhën janar-mars 2017. Por numri i transaksioneve për këtë kategori është rritur në masën 21.89%. Pra kemi pasur pjesëmarrje më të lartë por shuma investimi më të vogla.

“Transaksioni i llojit C “Blerje para afatit të maturimit” gjatë periudhës janar-mars 2018, ka pasur ulje prej 32 milionë lekë ose 6.06% dhe gjithashtu, një ulje në numrin e transaksioneve në masën 17.65%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vihet re një ulje në vlerë absolute e totalit të transaksioneve të llojit B dhe C të marra së bashku me rreth 350 milionë lekë, krahasuar me periudhën janar-mars 2018” pohon AMF.