Vjenë: Raundi i ri i negociatave Athinë-Shkup për emrin
Shefat e diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias sot pasdite do të kenë takim me ndërmjetësuesin e OKB-së për emrin, Mathew Nimetz.
Edhe takimi paraprak në këtë format është mbajtur në Vjenë më 30 mars, ndërkohë që Kotzias dhe Dimitrov kishin takim dypalësh më 12 prill në Ohër.
Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias në një deklaratë për radion greke ”247” tha se marrëveshje nuk mund të arrihet në samitin e NATO-s në korrik.
Eurokomisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi se pret që çështja e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë të zgjidhet në 15 ditët e ardhshme.
“Unë jam optimist se në dy javët e ardhshme do të gjendet zgjidhje për emrin ose zgjidhje e cila do ta hapte rrugën për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë. Mendoj se të gjithë pajtohen se kjo ka qenë në interes të shtetit dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Hahn para Komitetit për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian.
Ministrat Dimitrov dhe Kotzias do të takohen edhe në dy konferenca në Greqi, njëra më 3 dhe 4 maj në Selanik, ndërsa tjetra një javë më pas në Sunio./ata