Trump: Ronny Jackson të vendosë vetë nëse e do emërimin
Presidenti Donald Trump thotë se ia ka lënë në dorë mjekut të Shtëpisë së Bardhë, Admiralit Ronny Jackson, nëse do të pranojë emërimin si Sekretar i Çështjeve të Veteranëve pasi kanë dalë akuza serioze ndaj tij për akte të papërshtatshme ose të paligjshme personale dhe profesionale.
Presidenti thotë se pas këtyre akuzave, atij nuk ka ç’i duhet ky post: “Unë nuk do ta pranoja. Përse? Që të abuzohem nga një tufë politikanësh që nuk duan t’ia dinë për vendin? Nuk duhet ta pranojë emërimin, mendoj unë, por ai e ka vetë në dorë,” tha presidenti.
Trump i bëri komentet disa orë pasi senatorët shtynë pa afat seancën dëgjimore për konfirmimin e zotit Jackson që ishte planifikuar për të mërkurën.
Senatorët po analizojnë pretendimet e ngritura kundër kandidatit për sekretar të Çështjeve të Veteranëve se ai kishte krijuar një mjedis tepër negativ e të tensionuar pune në Shtëpinë e Bardhë dhe se pinte shumë alkool.
Emërimi i Ronny Jackson, aktualisht mjeku i presidentit në Shtëpinë e Bardhë, zgjoi kritika të shumta si resultat i mungesës së eksperiencës në detyra menaxhuese për një rol udhëheqës si sekretar i Çështjeve të Veteranëve në agjencinë e dytë më të madhe të qeverisë amerikane me 377 mijë punonjës.
Ronny Jackson u zgjodh për të zëvendësuar David Shulkin, sekretar i mëparshëm i Çështjeve të Veteranëve i emëruar nga Presidenti Obama, i shkarkuar nga Presidenti Trump.