Shqipëria e angazhuar të thellojë lidhjet me Kinën
Shqipëria ka nevojë të hapet dhe ky zhvillim duhet të vijë falë investimeve të huaja, ku investimet kineze janë shumë të mirëpritura.
Kështu deklaroi deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, e cila ishte në krye të një delegacioni parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë që zhvilloi një vizitë treditore në Pekin dhe në Tianjin.
Deputetët nga Shqipëria patën mundësi të njihen me Zonën e Zhvillimit Ekonomik e Teknologjik të Tianjin-it, një prej më të rëndësishmeve për tërheqjen e investimeve të huaja dhe nxitjes së novacionit në Kinën Veriore.
“Ne u përpoqëm, pavarësisht partive politike të cilave u përkisnim, të shprehnim angazhimin tonë parlamentar. Pa dyshim që peshën kryesore të forcimit të marrëdhënieve dhe të tërheqjes së bizneseve kineze e ka qeveria, por edhe ne si parlamentarë mund të ndihmojmë nëpërmjet forcimit të bazës ligjore”, tha ajo.
Hysi shprehu besimin se projekti “16 + 1” dhe ai “Një brez, një rrugë” janë një mundësi shumë e mirë që zonat e lira ekonomike që ka shpallur qeveria shqiptare, siç është ajo e Spitallës, e Koplikut apo edhe e Shëngjinit, të përdoren dhe të ftohen investitorët kinezë për të investuar dhe për të bërë ato mrekulli që kanë bërë në qytetet e tyre.
Shqipëria sapo ka marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Deputetja Vasilika Hysi, tha se Shqipëria ka shënuar përparime të dukshme, sidomos në fushën e legjislacionit ndaj investimeve të huaja dhe i ftoi bizneset kineze të investojnë në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, edhe në kuadër të 40-vjetorit të Reformës dhe Hapjes së Kinës.
“Ne jemi një vend që kemi prodhuar stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Ne jemi një vend që kemi bërë progres dhe po nxitim investitorët e huaj, falë edhe reformave që kemi bërë në legjislacion. Në këtë kuadër, në këtë 40-vjetor të hapjes së Kinës ndaj bizneseve të huaja dhe investimeve në vendet e tjera, siç është Shqipëria, unë mendoj që Shqipëria do të ishte një vend shumë i mirë për investimet kineze. Dhe pse jo, të kemi investime edhe këtë vit që është 40-vjetori, por edhe më shumë në kuadër të 70-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Kinë.”
Shqipëria dhe Kina janë pjesë e “Axhendës 2030” të Kombeve të Bashkuara, që ndër të tjera parasheh reduktimin e varfërisë. Kina ka vendosur të nxjerrë nga varfëria të gjithë shtetasit e vet brenda vitit 2020 dhe deputetja Hysi theksoi se modeli i Kinës duhet promovuar edhe te vendet e tjera.
“Ishin shumë interesante politikat që ndiqeshin në zona të ndryshme të Kinës për të reduktuar varfërinë dhe unë mendoj që edhe Shqipëria mund t’i zbatojë këto programe, sepse edhe ne kemi shumë pika të përbashkëta dhe varfëria është varfëri kudo, në çdo shtet. Njerëzit e varfër kanë nevojë për mbështetje kudo që jetojnë, sidomos në zonat fshatare, ku të rinjtë nuk kanë formimin profesional, në zonat ku jetojnë njerëz të varfër etj. Unë mendoj që është një model që duhet promovuar.”/CRI//m.m/ATSH