AktualitetTë fundit

“Përshkuam gjysmën e urës, pjesa tjetër i ngelet Maqedonisë”

Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Dimitris Tzanakopoulos, në lidhje me “çështjen e emrit” për të cilën shteti i tij është duke i vazhduar negociatat me Maqedoninë, tha se Greqia ka “përshkuar gjysmën e urës” dhe se pjesa e ngelur duhet marrë nga Maqedonia.

Duke folur në brifingun javor për media në lidhje me negociatat, Tzanakopoulos tha se Greqia në mënyrë të qartë ka vënë në pah kushtet e saj për çështjen e emrit, e cila, siç tha ai, është duke zgjatur një çerek shekulli. Ai tha se këto kushte janë “një emër i ri gjithëpërfshirës që mund të përdoret edhe brenda edhe jashtë vendit” dhe “ndryshimi i neneve kushtetuese të cilat sinjalizojnë ambicie territoriale”.

Ai theksoi se ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, sot në Vjenë është takuar me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, dhe Ndërmjetësin e Kombeve të Bashkuara (OKB), Matthew Nimetz.

“Ne kemi përshkuar gjysmën e urës. Tashmë pjesën tjetër duhet ta marrë pala tjetër”, tha zëdhënësi i qeverisë greke.

Ndryshe, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, dje theksoi se është optimist për një zgjidhje brenda dy javësh.

Ndërkaq, Ministria e Jashmte greke deklaratat e Hahn i ka cilësuar si “të pavend” dhe “imazh i gabuar”, ndërsa atë e ka fajësuar për “minimin” e negociatave.

Në negociatat mes dy vendeve ende nuk është arritur avancim në disa pika themelore, megjithëse janë ndërmarrë hapa për zgjidhjen e mosmarrëveshjes rreth emrit./Anadolu Agency (AA)