Merkel: Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash; Vendimi në qershor
Gjermani do të marrë vendimin e saj lidhur me rekomandimin e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë në javët e ardhshme pasi të shohë “nëse ka ende gjëra për të bërë, nëse ka progres të mjaftueshëm dhe gjithashtu pasi ta diskutojmë këtë me homologët tanë evropianë”. Deklarata u bë nga kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë një komunikimi për shtypin që ajo pati së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama, përpara nisjes së takimit mes tyre.
Kancelarja Merkel theksoi se takimi i sotëm me kryeministrin Rama “është shumë i rëndësishëm për mua, sepse do të mësoj nga vetë kryeministri se si e sheh zbatimin e parakushteve të ndryshme dhe se si mund të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në reforma, sepse ne e kemi bërë gjithmonë këtë dhe dëshirojmë ta bëjmë përsëri”, u shpreh kancelarja gjermane.
Gjatë deklaratës së saj zonja Merkel nënvizoi se “Shqipëria ka nisur projekte të rëndësishme reformash dhe se është bërë përparim. Sjell ndër mend shqyrtimin e disa qindra gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo gjithashtu forcon sistemin ligjor në tërësinë dhe besueshmërinë. Ne e dimë se tani kontrolli duhet të zgjerohet edhe në polici. Unë vetëm mund ta inkurajoj Kryeministrin të vazhdojë në këtë rrugë. Ka fusha të tjera për të cilat do të flasim, sundimi i ligjit në përgjithësi, por edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Duke mbyllur deklaratën e saj, kancelarja Merkel tha se “Gjermania dëshiron të mbështesë Shqipërinë. Gjermania dëshiron të jetë e dobishme, në mënyrë që ne të mund të shohim me të vërtetë progresin që na duhet për të marrë një vendim në qershor”.
Nga ana e tij kryeministri Rama u shpreh qartë se priste mbështetjen e Gjermanisë kur tha se “kam ardhur këtu për t’i shprehur Kancelares bindjen time se Shqipëria nuk duhet të humbasë kohë në pritje të hapjes së negociatave për anëtarësim, sepse Shqipëria e ka fituar atë”, tha zoti Rama ndërsa theksoi me herët se rekomandimi i Komisionit europian ishte i pakushtëzuar. “Ndërsa Shqipëria bëhet pjesë e bisedimeve, ne arrijmë në një fazë ku na presin shumë detyra, në mënyrë që të krijojmë energji të re për të gjithë shqiptarët në një proces me të cilin shqiptarët ndjehen të lidhur”, deklaroi kryeministri Rama.