Mediat dhe legjendat e futbollit nuk kursejnë lëvdatat për Salahun
Ylli i fitores së mbrëmshme të Liverpoolit ndaj Romës në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ishte futbollisti egjiptian, Mohamed Salah, të cilin mediat më të shquara sportive evropiane tashmë e shohin si laureatin e çmimit për lojtarin më të mirë të vitit në Evropë dhe në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Liverpooli mbrëmë fitoi 5:2 duke arritur një avantazh të thellë përpara ndeshjes së kthimit në Romë, kurse lojtari më i mirë i ndeshjes ishte golashënuesi më i mirë i Liverpoolit, Salah, i cili ishte golashënues i dyfishtë dhe asistent i dyfishtë në fitoren ndaj Romës, klubit nga ku erdhi Salah në Anfield.
Gazeta britanike “The Guardian” shkruan se Liverpooli vazhdon të ofrojë ndeshje të shkëlqyera falë lojtarit ndërkombëtar, egjiptianit Salah.
“Salah kaloi vet mbrojtjen e ish-skuadrës së tij, dhe përcaktoi ndeshjen. Roma u zgjua vetëm pas largimit të Salah dhe arriti të shënojë dy gola”, thuhet në komentin e “Guardian” rreth shfaqjes së mbrëmshme fantastike të futbollit.
Gjithashtu edhe “Daily Mail” vlerësoi formën e asit egjiptian, kurse ndeshjen e mbrëmshme e quajti “Salah Show”. “Në minutën e 75-të, nga loja doli Salah, lojtari i cili në skenën evropiane ka luajtur ndeshjen më të mirë në fanellën e një prej klubeve angleze”, shkruan “Daily Mail”.
BBC kujton se Salah me dhjetë golat e shënuar është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve këtë sezon dhe se Liverpool ka fituar mbrëmë në saje të performacës së tij në fushë.
Mediat italiane gjithashtu shkruajnë se Roma nuk arriti të ndalojë Salahun dhe se kjo rezultoi në pranimin e pesë golave.
Gazeta “La Republica”, kujton se “trio fantastike” e Liverpoolit, Salah, Roberto Firmino dhe Sadio Mane këtë sezon shënoi gjithsej 88 gola. “Trio fantastico në Anfield deklasuan ekipin e Di Francescos”, shkruan gazeta italiane.
Gazeta spanjolle “El Pais” ndeshjen e mbrëmshme gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve e analizoi në tekstin e titulluar “Salah me fitoren e Liverpoolit ndaj Romës i është afruar Topit të Artë”.
Po ashtu edhe gazeta franceze “Le Monde” shkruan se Salah është i pandalshëm për mbrojtjen e kundërshtarit dhe po luan gjithnjë e më mirë.
“Ylli i musliman i Liverpoolit Salah në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve rrënoi Romën dhe vërtetoi popullaritetin e tij në mesin e tifozëve të Liverpoolit dhe në të gjithë botën arabe”, shkruan “Le Monde”.
Gazeta kineze “China Daily” u përqendrua në gjestin e Salahut për mos festimin e golave të cilat mbrëmë i shënoi ekipit të tij të mëparshëm. “Ai vetëm shikonte në tokë dhe ngriti duart lart, sikur kërkonte falje për shënimin e golave fantastikë, me këtë ai tregoi sa besnik dhe dinjitoz është”, shkruan gazeta kineze.
“New York Times” shkruan se Roma është vetëm një nga seritë e “viktimave” të Mohamed Salah, i cili është bërë enigmë e pazgjidhur për mbrojtjen kundërshtare këtë sezon.
Mohamed Salah sot është tema kryesore edhe në rrjetet sociale.
Golashënuesi më i mirë holandez, Robin van Persie, ka shkruar se Salah është “rrufe”, kurse ish ylli i futbollit të Uellsit, Robbie Savage thotë se Salah këtë vit duhet të marrë çmimin për lojtarin më të mirë në Evropë.
“Mohamed, je fantastik”, ka shkruar ish asi i futbollit anglez, Gary Lineker.
“Salah luan me lehtësi sikur të ecë në park. Jam i mahnitur nga forma e tij. Absolutisht e pabesueshme”, shkroi një tjetër legjendë e futbollit anglez, Steve McManaman.