Gazetarët pa kufij: Urrejtja ndaj gazetarisë, kërcënon demokracitë
Organizata “Gazetarët pa kufij”, me seli në Paris vlerëson në raportin e saj për lirinë e medies se po rritet armiqësia ndaj gazetarëve dhe ajo haptazi po trimërohet nga udhëheqësit politik.
Në raportin që vlerëson shkallën e lirisë së medies në 180 vende, theksohet se armiqësia ndaj medies nga udhëheqësit politik, nuk është e kufizuar më vetëm në vende autoritare si Turqia, që ka pësuar rënie, apo Egjipti, ku “frika nga mediet”, është aq e theksuar, saqë gazetarët akuzohen në mënyrë rutinore për terrorizëm dhe të gjithë ata që nuk ofrojnë besnikëri, burgosen në mënyrë arbitrare.
“Gjithnjë e më shumë, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk i shohin më mediet si pjesë e mbështetjes thelbësore të demokracisë, por si një kundërshtar ndaj të cilit shfaqin hapur urrejtjen e tyre”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Norvegjia është sërish vendi me shkallën më të lartë të lirisë së medies, ndërsa Koreja e Veriut është e fundit.
Evropa, zona me sigurinë më të madhe të medies, ka shënuar përkeqësimin më të madh këtë vit. Katër nga pesë rëniet më të mëdha në treguesin e lirisë së medies, janë regjistruar në vende evropiane: Maltë, Çeki, Serbi dhe Sllovaki.
Në Shqipëri, e cila radhitet në vendin e 75-të, një vend më lart se një vit më parë, thuhet në raport, kryeministri Edi Rama sulmoi gazetarët në vjeshtë duke i quajtur ata “injorantë”, “helm”, “sharlatanë”, e madje edhe “armiq publik”.
Klima në Serbi e cila ka rënë në vendin e 76-të, është bërë më e tensionuar që kur ish kryeministri Aleksandër Vuçiç u zgjodh president në vitin 2017. Ai përdori medien pro-qeveritare për të frikësuar gazetarët të cilët akuzohen për “tradhti” dhe si “spiunë të huaj”.
Sipas raportit, 9 për qind e vendeve të botës vlerësohet të jenë në gjendje shumë të mirë, ndërsa 12 për qind në gjendjen më të rëndë./VOA