Gadishulli Sinai, vriten 3 ushtarë egjiptianë dhe 30 militantë
Tre ushtarë egjiptianë dhe 30 militantë të dyshuar janë vrarë në një operacion të forcave të sigurisë të realizuar gjatë javës së kaluar në Gadishullin Sinai në Egjipt, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga ushtria egjiptiane, thuhet se tre oficerë policie u vranë në përleshjet me militantët gjatë një bastisje në strehën e tyre në qytetin Arish të Sinait Verior.
Dy pjesëtarë të policisë poashtu u plagosën nga përleshjet, gjatë të cilave 17 militantë u vranë, tha deklarata e ushtrisë.
Pesë militantë të tjerë u vranë në një sulm në Sinain qendror, duke përfshirë një udhëheqës të lartë, të cilin deklarata ushtarake e quajti “Nasser Abu Zaqoul”.
Mediat lokale raportuan se Abu Zaqoul është nënkryetar i grupit Welayet Sinai i lidhur me DEASH-in, i cili është fajësuar për një varg sulmesh në Sinai dhe në provinca të tjera.
Sipas deklaratës, tetë militantë u vranë edhe gjatë bastisjeve në veri dhe në qendër të Sinait.
Forcat e sigurisë gjatë javës së kaluar poashtu arrestuan 173 militantë të dyshuar në Sinai në veri dhe në qendër të vendit.
Viktimat e reja sjellin numrin e trupave të vrarë egjiptianë në 35 që kur operacioni i sigurisë kundër militantëve të fajësuar për një varg sulmesh në të gjithë vendin filloi më 9 shkurt.
Gadishulli Sinai ka mbetur epiqendra e një rebelimi militant që nga viti 2013 kur ushtria rrëzoi Mohamed Morsin në një grusht shteti ushtarak, presidentin e parë të zgjedhur në mënyrë të lirë në Egjipt dhe udhëheqësin e Vëllazërisë Muslimane.