Donald Tusk: Sfida e Shqipërisë, të bindë shtetet anëtare të BE
Gjatë vizitës në Tiranë, presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk theksoi se tani Shqipëria duhet të bindë shtetet anëtare për hapjen e negociatave në qershor. BE mbetet partnerja më e madhe tregtare e Shqipërisë.
”Dua të jem shumë i qartë. Ajo çfarë ka bërë Shqipëri është e mjaftueshme për të hapur negociatat. Ëndrra ime është që Shqipëria të vazhdojë në rrugën drejt Europës.” tha ai në një takim me mediat, të përbashkët me kryeministrin Rama. Shpresa e qeverisë së Tiranës është hapja e negociatave pas 2 muajsh, në Qershor, kur përfundon presidenca bullgare e Këshillit Europian. Tusk tha se është optimist që kjo mund të realizohet , por këtë e krahasoi me një sfidë. “Sfida tjetër e Shqipërisë do të jetë që të binden të gjithë shtete anëtare të BE-së në qershor, për të nisur negociatat” tha Tusk.
Shqipëria dhe BE
Donald Tusk foli në Tiranë me gjuhën e saktë të shifrave për zhvillimin në rritje të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare të Shqipërisë me BE. ” BE është investuesja më e madhe, donatorja më e madhe dhe partnerja tregtare më e madhe për të gjithë rajonin. Kjo vlen edhe për Shqipërinë”, tha ai. 78% e eksporteve shqiptare, theksoi Presidenti i Këshillit Europian Tusk, shkojnë në Bashkimin Europian dhe vetëm 3% e eksporteve shqiptare shkojnë në Kinë, me Turqinë 1% dhe me Rusinë “0”, duke përmendur tre vende që konsiderohen si vende që po përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, ku Shqipëria ka 14% të eksporteve të saj.
E ngarkuara e BE për politikën e Jashtme, Federica Mogherini vizitoi Tiranën (18.04.2018). Në foto me kryeministrin Rama dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati
Shqipëri a dhe rajoni- të integruara në korridoret paneuropiane të transportit
Lidhja mes vendeve të rajonit, një nga shtyllat e Procesit të Berlinit , do të jetë në qëndër të Samitit të Sofjes, bëri të ditur Tusk n ë Tiranë. ” Në Sofje duhet të riafirmojmë perspektivën Europiane të Ballkanit Perëndimor, por ajo çka është po me rëndësi, është që samiti duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet me dhe brenda rajonit. Kjo ka të bëjë me lidhjet njerëzore, dixhitale dhe infrastrukturore” tha ai sot ne Tirana.
Donalt Tusk foli për domosdoshmërinë që Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me perspektivë europiane për të qënë plotësisht të integruara në korridoret paneuropiane të transportit. ” Të udhëtosh midis kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk duhet të zgjasë më shumë sesa fluturimet për në Pekin, siç ndodh ndonjëherë. Për të shmangur ndërprerjet energjetike duhet të investohet më shumë së bashku për përmirësimin e rrjeteve energjetike dhe ndërlidhjet” vuri ai në dukje.
Përmirësimi i konektivitetit mes vendeve të rajonit dhe me BE do të jetë në përfitim si të qyteteve dhe bizneseve nga Shqipëria, partnerëve të tjerë nga Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian” theksoi ai.
“Ky program konektiviteti, nuk është alternativë ndaj zgjerimit dhe nuk zëvendëson zgjerimin. Është mënyra për ta shfrytëzuar kohën midis të sotmes dhe së nesërmes në mënyrë më efektive se më parë” sqaroi Presidenti Tusk. Ai solli në Tiranë një lajm të mirë për gjithë rininë e Ballkanit Perëndimor. “Të rinjtë nga rajoni duhet të kenë më shumë mundësi për të studiuar në Bashkimin Europian. Një dyfishim i fondeve të “Erasmus+” do të sigurojë që ky objektiv të jetë i arritshëm ” tha ai.
Shqipëria – partner besnik i BE në sfidat gjeopolitike
Siguria, kontrabandimi i emigrantëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar mbeten sfidat e përbashkëta të BE dhe Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, e cilësoi Shqipërinë ” një nga partneret më besnike të BE në përballimin e këtyre sfidave. Ai përgëzoi Shqipërinë për solidaritetin e saj me BE-në dhe shtetet anëtare lidhur me me sulmin “Skripal” në Salisbury.
Presidenti Tusk e quajti “markë unike të Shqipërisë” tolerancën dhe bashkëjetesën fetare”. ” Këto cilësi vijojnë të jenë tejet të rëndësishme në botën e sotme dhe janë themelet, mbi të cilat mund të vijojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët dhe kam këtë ndjesinë personale që jeni më europianë ju këtu, sesa disa europianë të BE-së.”/Ani Ruci/DW