AktualitetBota+Të fundit

SHBA tërheqin personelin nga Nikaragua

Departamenti i Shtetit u ka dhënë urdhër punonjësve të qeverisë amerikane dhe familjeve të tyre me banim në Nikaragua të largohen menjëherë, pas protestave të përgjakshme në vend. Autoritetet amerikane kanë nxjerrë udhëzime për shtetasit amerikanë që të shmangin udhëtimet në këtë vend të Amerikës Qendrore pas kaosit që përfshiu vendin si rezultat i ndryshimeve të propozuara fiskale dhe në sistemin e pensioneve.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se tubimet dhe demonstratat e përditshme po marrin një përgjigje të fortë nga autoritetet, të cilat në disa raste kanë përdorur municion luftarak.

Protestat filluan javën e kaluar kur Presidenti i Nikaraguas, Daniel Ortega njoftoi rritje të pagesës që duhet të kontribuojnë qytetarët në sigurimet shoqërore, ndërkohë që shuma që marrin si pension do të bjerë.

Javier Luis Tabalos, protestues

“Kjo protestë është më e madhe se të gjitha të tjerat, pasi populli është lodhur nga shkelja e të drejtave të tyre, nga dhunimi i Kushtetutës. Kjo votë ishte provokimi i fundit. Po tallen me xhepat e nikaraguanëve. Kjo protestë po zhvillohet pasi jemi lodhur e jemi velur nga këto abuzime,” thotë një protestues.

Disa protestues kanë fajësuar policinë kombëtare për dhunë të tepruar që ka rezultuar në vdekje të civilëve:

Protestues i paidentifikuar

“Isha në punë kur na sulmuar thjesht sepse kishim vënë pankarta… thjesht për pankarta. Sulmuan njerëzit se kishin kova, apo lugë në duar. Ne sulmojmë me këto mjete, ata na qëllojnë me armë zjarri me kalibër 9-milimetër,” thotë një protestues.

Të dielën Presidenti Ortega tha se kishte anuluar planet për reformimin e sistemit të pensioneve, si rezultat i rezistencës popullore.

Zyrtarët thonë se të paktën dhjetë vetë janë vrarë në protesta, por sipas grupeve të të drejtave të njeriut përllogariten mbi 25 të vrarë./VOA