Pse ngurron Gjermania t’i bashkohet aleatëve në sulme?
Që nga Siria, Iraku, e deri te Afganistani, kur vjen puna te misionet e huaja, udhëheqësit në Berlin ngurrojnë ta aktivizojnë ushtrinë gjermane. Kancelarja Angela Merkel e vazhdoi traditën duke refuzuar t’u bashkohet aleatëve në Siri.
Gjermania është një nga vendet më të industrializuara, anëtare e vjetër e NATO-s. Politikat e saj rreshtohen me demokracitë e tjera perëndimore. Megjithatë, shteti më i fuqishëm i BE-së është shumë i tërhequr kur vjen puna te ushtria.
Deri më sot janë dislokuar rreth 4000 ushtarë gjermanë në 19 zhvillime të ndryshme, që nga Afganistani e deri në Mali. Por shumë rrallë janë vendosur në front. Ata drejtojnë avionë zbulimi (si në Siri dhe Irak) ose stërvitin grupet ushtarake të aleatëve (si kurdët në Irak).
Politikanët në Berlin e pranojnë që aleatët presin angazhim më të madh. Megjithatë, ata ruajnë traditën e ngurrimit që vazhdon që prej Luftës së Dytë Botërore.
Ndjenja historike e fajit
Sigurisht që ka arsye historike për këtë ngurrim. Kur u krijua Gjermania Perëndimore, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe pas Nazizmit, ushtria e re gjermane (e quajtur Bundevehr) u themelua në vitin 1955. Po atë vit Gjermania u bë anëtare e NATO-s. Por në gjithë këto dhjetëvjeçarë, ushtarët gjermanë janë angazhuar vetëm për të mbrojtur vendin e tyre.
Politikisht, Gjermania e ndarë ka qenë gjithnjë në qendër të Luftës së Ftohtë. Në vitin 1979, kancelari Willy Brandt, nga partia e majtë SPD, mori përsipër ta ndryshojë këtë fakt nëpërmjet politikave paqësore me Bashkimin Sovjetik. Dy vendet vendosën kanale komunikimi dhe përdorën marrëveshjet në vend të armëve.
Marrëdhënia e veçantë e Gjermanisë me Rusinë ka lindur pikërisht në këtë kohë. Edhe sot, Rusia, e cila humbi 6.2 milionë banorë duke luftuar Gjermaninë naziste, (më shumë se çdo pjesëmarrës tjetër në Luftën e Dytë Botërore), ka ende një vend të veçantë në mendjen e gjermanëve. Prandaj shumë zëra kërkuan përafrim me presidentin Putin pas aneksimit të Krimesë, në vitin 2014, kur Gjermania mbështeste sanksionet kundër Kremlinit. Ministri i jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, bëri thirrje për t’i hequr sanksionet pak para se ta linte detyrën në Mars të këtij viti.
Pakënaqësi për ndërhyrjet jashtë vendit
I gjithë kombi u përfshi në debate gjatë viteve 1990, kur Gjermania e ribashkuar u aktivizua në fushata ushtarake jashtë vendit. Më shumë shkaktoi ndërhyrja në Kosovë, në vitin 1999. Ishte hera e parë që ushtarët gjermanë përfshiheshin në dyluftime, që nga Lufta e Dytë Botërore. Veç kësaj, lëvizjet e paqarta ligjore trazuan shumë mendje gjermanësh. Dislokimi tjetër në Afganistan, pas sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA, kanë qenë përcaktues për angazhimet e ushtrisë gjermanë për dy dhjetëvjeçarë rresht.
Ashtu si me rastet e tjera, hyrja në Afganistan nuk ishte vendim i pëlqyer nga gjermanët. Qeveria është kërkuar të marrë leje nga parlamenti edhe për vendimet më të vogla ushtarake, dhe kjo e bën ushtrinë gjermane një ushtri parlamentare.
Eksperti i Politikës së Jashtme, Rolf Mytzenich, shpjegon kufizimet që i janë vendosur ushtrisë për veprime në vende të huaja. “Gjermania mund të luajë rol vetëm po të autorizohet nga Këshilli i Sigurisë në OKB dhe nga parlamenti gjerman”, thotë ai. Asnjë prej këtyre nuk pritet të ndodhë në lidhje me Sirinë.
“Jo” luftës në Irak
Frika të tilla ndihen më shumë mes gjermanëve sa herë që Amerika dërgon ushtrinë diku nëpër botë. Në vitin 2002, kancelari Gerard Shroder (SPD) fitoi mandatin e radhës edhe pse votuesit nuk ishin të kënaqur për koalicionin me Partinë e Gjelbër. Arsyeja e fitores: Shroder kishte deklaruar se nuk do t’i çonte ushtarë gjermanë për pushtimin e Irakut, të nisur nga Presidenti amerikan George W. Bush. Ky qëndrim preku telat e duhura mes votuesve.
Në atë kohë, kryetare e opozitës (CDU) ishte Angela Merkel. Ajo kishte bërë thirrje që Gjermania ta bashkohej në sulme me ushtrinë amerikane, një qëndrim që nuk pati mbështetje nga votuesit. Kancelarja e mençur nuk e përsërit më atë gabim.
Pothuajse të gjitha partitë politike në Gjermani kanë ekspertë të politikës së jashtme që bëjnë thirrje të angazhohen më fort në arenën ndërkombëtare. Ata thonë se kjo është e vetmja mënyrë që Gjermania të luajë rol për të zgjidhur problemet nëpër botë. Megjithatë, mbeten pakicë. Një sondazh i kohëve të fundit tregon se 60% e gjermanëve janë kundër dërgimit të ushtrisë jashtë vendit.
Jens Thurau, Deutsche Welle