Meta: T’i tregojmë rezultate BE-së
Shqipëria do të ketë në qershor vendimin e Këshillit të Europës për çeljen ose jo të negociatave, por në Tiranë nur reshtin polemikat dhe përplasjet në distancë të klasës politike për rekomandimin pozitiv që u mor më 17 prill.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nga Përrenjasi ka dhënë një mesazh të fortë për aktorët politikë, ku në thelb qëndron bashkëpunimi për rrugën evropiane të Shqipërisë.
Meta kërkon që të evitohen të gjitha polemikat dhe politika të përqendrohet te rezultatet, në mënyrë që Këshilli të japë një përgjigje pozitive në qershor, pasi për këtë ekzistojnë të gjitha mundësitë.
“Duhet t’i gëzohemi rekomandimit pozitiv fillimisht se ky është një hap shumë i rëndësishëm dhe së dyti duhet të përqendrohemi në thellimin e reformave për 5 prioritetet kyçe për të treguar edhe më shumë vullnet e rezultate për sa i përket sundimit të ligjit. Jam i bindur që i kemi të gjitha mundësitë që Këshilli të mbështesë plotësisht rekomandimin për çeljen e negociatave’, u shpreh Meta.
Deklarata e Kreut të Shtetit erdhi pasi gazetarët e pyetën lidhur me një problem real, siç është skepticizmi nga Franca e Gjermania për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
Ndërkohë Meta falënderoi qeverinë turke për ndërtimin e një çerdheje në Përrenjas.
“Dua të shpreh mirënjohjen për këtë angazhim. Duhet të falënderojmë qeverinë turke për këtë mbështetje. Falënderoj dhe ambasadorin, që më dhanë mundësinë të shijoja këtë ditë të bukur sot me këta fëmijë në këtë ambient të ri tërësisht të transformuar”, tha Meta.