Kosovë: Skandal me listat e veteranëve; Dorëhiqet Agim Çeku
‘’Nuk mjafton dorëheqja. Dëmi që kanë shkaktuar do të hyjë në histori si goditja më e madhe pas luftës që iu dha UÇK-së. Hashim Thaçi e çarmatosi, e këta me radhë e njollosën, vlerën më të madhe që kanë prodhuar ndonjëherë shqiptarët. Por as procesi gjyqësor nuk mjafton. Veteranët e organizuar duhet sa më parë të lirohen nga ata që ua uzurpuan edhe të kaluarën edhe po i denigrojnë të ardhmen. Sa më parë aq më mirë’’, ka thënë deputeti Rexhaj.
Një hetim i filluar në vitin 2016 nga EULEX ka rezultuar me aktakuzë për veprën penale të importit, eksportit, furnizim, transportim, prodhim, këmbim ose shitje e paautorizuar e armëve ose materialeve tjera plasëse, ushtrim të ndikimit, mashtrim, dhe mundësim ose detyrim në prostitucion.
Për veprën e parë, atë të armëve pa autorizim, po akuzohen Sh.J dhe , N. V si dhe A.R.
Katër pikat tjera të aktakuzës rëndojnë disa persona në lidhje me statusin e veteranit të UÇK-së.
Sh.J dhe V.A akuzohen për mashtrim sepse sipas aktakuzës që nga dhjetori 2015 duke vepruar sipas një plani të përbashkët në tërë Kosovën kanë dorëzuar formular aplikimi në lidhje me gjoja kontributin e qytetarëve kosovarë në luftën për çlirimin e Kosovës, që nuk korrespondojnë me realitetin.
“Aplikacionet janë dorëzuar në Zyrën për çështjet e kategorive të dala nga lufta në mënyrë që kandidatëve t’u pranohet kategoria e veteranit Luftëtar i UÇK-së, përkundër faktit që këta persona nuk i përmbushnin kriteret ligjore”, përshkruan aktakuza.
Flasin nga Qeveria
Lidhur me këtë, Gazmend Syla, këshilltar politik i Kryeministrit të vendit dhe njëherësh drejtor i Zyrës për çështjet e kategorive të dala nga lufta, në një përgjigje dhënë për gazetën ‘’Bota sot’’ thotë se kjo zyrë inkurajon të gjitha organet që trajtojnë çështjet të cilat dëmtojnë imazhin e veteranëve dhe vet luftës së UÇK-së, të angazhohen sa më shumë në identifikimin e kësaj dukurie negative.
‘’Zyra për çështjet e kategorive të dala nga lufta inkurajon të gjitha organet që trajtojnë çështjet të cilat dëmtojnë imazhin e veteranëve dhe vet luftës së UÇK-së, të angazhohen sa më shumë në identifikimin e kësaj dukurie negative, me të cilën po ballafaqohemi pothuajse çdo ditë. Pavarësisht se nuk kemi informacion rreth rastit në fjalë, shpresojmë se secili që ka keqpërdorur e falsifikuar, apo në forma të tjera ka përfituar paligjshëm statusin e veteranit, do të ndëshkohet nga organet kompetente. Ju rikujtojmë se Zyra jonë bashkëpunon ngushtë me organet e rendit për parandalimin e këtyre dukurive’’, ka thënë Syla.
Hoti për listat e veteranëve: Do të dalin sheshit motivet kriminale
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se asnjëherë nuk do të vendoset drejtësi për kategoritë e dala nga lufta pa i nxjerrë Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës listat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së.
Sipas Hotit, vetëm kur të publikohen këto lista, veteranët do të marrin vlerësimin e merituar.
‘’Asnjëherë nuk do të vendoset drejtësi për kategoritë e dala nga lufta pa i nxjerrë Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës listat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së. Vetëm kur ato lista të bëhen publike, ushtarët e vërtetë do të marrin vlerësimin e merituar. Dhe do të dalin sheshit motivet kriminale e politike të fryrjes së numrit të veteranëve e invalidëve të luftës. Deri atëherë, taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës do të shpenzohen padrejtësisht. LDK-ja e mbështet fuqishëm ndriçimin e plotë të këtij procesi, në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e pastërtisë së kauzës çlirimtare të luftëtarëve të UÇK-së’’, është shprehur Hoti për “Bota sot”.
Kërkohet dorëheqja e Agim Çekut
Edhe Arbër Rexhaj, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se procesi i verifikimit të veteranëve të luftës është përdorur për përfitime elektoral si nga Qeveritë e kaluara, ashtu edhe nga kjo e tashmja për vite me radhë.
‘’Kjo çështje është trajtuar shumë më herët nga shumë akterë në vendin tonë. Fatkeqësisht qoftë qeveria Thaçi, e më keq ajo Mustafa e mandej dhe kjo Haradinaj e kanë përdorur këtë proces diku për përfitim elektoral e diku për diskretitim inkonjito të ish ushtarëve të UÇK-së. Pavarësisht pikënisjes përfundimi i bashkon. Edhe ata që për kaq vite e shfrytëzojnë këtë kategori shumë të nderuar të vendit tonë për të shpërndarë klientelë dhe vota, edhe ata që synim partiak e pushtetar kanë denigrimin e profilit të ushtarit të UÇK-së, janë të të njëjtës kategori, shfrytëzues të gjakut dhe sakrificës së ushtarëve të thjeshtë që përbëjnë dhe shumicën. Ky trajtim skandaloz e ka zanafillën në trajtimin si “kategori sociale” të ish luftëtarëve. Pasi që i braktisën, e shuan TMK, nuk po avancojmë më FSK drejt ushtrisë, pasiqë nuk mbeti gjyq i padrejtë pa u rënë mbi krye ushtarëve të thjeshtë, pasi që u lanë në varfëri të skajshme deri në vetvrasje, u kujtuan që turpshëm t’i bëjnë temë të të gjithë shoqërisë duke ua përmendur pafundësisht herë “buxhetin që harxhohet për ta”. Përgjegjësi për këtë direkte e kanë të tre kryeministrat që u përmendën më lart. Ata nuk mund ta kalojnë përgjegjësinë vetëm te komisioni. Ata kanë pasur për detyrë të përfundojnë me saktësi dhe vërtetësi një proces kaq të rëndësishëm. Sigurisht që drejtuesi i komisionit Agim Çeku bart përgjegjësinë direkte por nuk mbeten anash të gjithë ata që si autoritete lokale kanë nënshkruar në kundërshtim me të vërtetën dhe kanë bërë trafik influencash me çështjen me të rëndësishme të shtetit tonë. Pra vlerësimin e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së’’, ka thënë Rexhaj.
Tutje, Rexhaj, ka deklaruar se dorëheqja e Çekut nuk mjafton, sepse duke e parë dëmin që është shkaktuar është shumë i madh.
‘’Nuk mjafton dorëheqja. Dëmi që kanë shkaktuar do të hyjë në histori si goditja më e madhe pas luftës që iu dha UÇK-së. Hashim Thaçi e çarmatosi, e këta me radhë e njollosën, vlerën më të madhe që kanë prodhuar ndonjëherë shqiptarët. Por as procesi gjyqësor nuk mjafton. Veteranët e organizuar duhet sa më parë të lirohen nga ata që ua uzurpuan edhe të kaluarën edhe po i denigrojnë të ardhmen. Sa më parë aq më mirë’’, përfundoi Rexhaj.
Haradinaj: Listat janë të fryra
Ndërkaq, Nasim Haradinaj nënkryetar i OVL të UÇK-së thotë se listat e veteranëve të luftës janë të fryera.
‘’Sa i përket a janë të fryra apo s’janë të fryra listat, organizata e veteranëve çdo herë ka thënë që këto lista janë të fryra dhe duhet të bëhet diçka që këto të verifikohen kështu që tani me ligjin e ri që u aprovuar është lënë mundësia që të hyjnë në verifikim, mirëpo edhe pse atëherë qeveria e pati miratuar ligjin nuk po implementohet dhe nuk kanë thënë ende qeveria që të implementohet ky ligj’’, ka deklaruar Haradinaj.
Sipas tij, procesi i verifikimit mund të zbulojë se kush kënd ka mundur ta fus në listë.
‘’Kështu që se kush duhet të japë llogari unë mendoj se llogaria nuk fillon nga koka, por nga baza dhe nuk duhet të spekulohet, sepse pasi të bëhet verifikimi dhe vërtetohet kush çka është atëherë do të dihet shumë sakt se se kush kënd ka mundur ta fusë në listë. Ne mendojmë që janë të fryera dhe kur flasim që janë fryer flasim pa dallim partie, pa dallim regjioni, pa dallim të zonave’’, përfundoi Haradinaj.
“Çeku nën urdhrat e Hashim Thaçit”
Ish- luftëtari i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se kryetari i Komisionit për verifikimin e veteranëve, Agim Çeku duhet të marrë dënimin e duhur pasi që sipas tij Çeku ka punuar nën urdhrat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Agim Çeku ka punuar me urdhra të Hashim Thaçit dhe shumica e ish- komandantëve të brigadave e sidomos të zonave jo të japin dorëheqje për keqpërdorime me lista për veteranë, por duhet të shkojnë në burg. Shtimin e mbi 300% të luftëtarëve pasi numri i përgjithshëm i ushtarëve të UÇK-së, është 16.400 asnjë më pak as më shumë.
Ky shtim i ushtarëve ka karakter politik dhe mafioz ku krimi i organizuar ka përvetësuar shuma të mëdha parash nga fryrja e listave me veteranë dhe shitja e certifikatave ku shumë sosh luftëtarë, jo që s’kanë qenë, por edhe në televizor lajmet kanë pasur frikë të shikojnë nga tereni i luftërave duke menduar se Serbia ushtria dhe policia e saj janë të pa thyeshëm.
Sot të njëjtit veteranë, sikur me ata luftëtarë vërtet që e ka lënë jetën, gjakun, shëndetin në luftë, turp. Rasti i fundit skandaloz dhe shumë raste tjera tregojnë qartë se ka dhjetëra mijëra veteran të rrejshëm që partitë politike i kanë futë militanët e vet, por edhe shumë sish i kanë blerë me para ose me mënyra tjera certifikatën e veteranëve të luftës’’, ka përfunduar Miftari/SUZANA RUGOVA