Holanda: Më shumë rezultate konkrete nga Shqipëria dhe Maqedonia
Kryeministri Edi Rama do të niset të mërkurën në Gjermani, ku ditën e enjte do të takohet me Kancelaren Angela Merkel.
Kjo lëvizje vjen për të shtuar mbështetjen për Shqipërinë, sa i përket votimit që do të bëhet në qershor për hapjen apo jo të negociatave me Bashkimin Europian. Por veç Berlinit skeptik edhe nga Holanda nuk vijnë lajme të mira për Shqipërinë.
Zëvendës presidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans thotë se Holanda duhet të kërkojë më shumë rezultate konkrete sa i përket dy vendeve: Shqipërisë dhe Maqedonisë.
Jean-Claude Juncker dhe Federica Mogherini argumentuan javën e kaluar arsyet për fillimin e negociatave për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Por sipas nënkryetarit Frans Timmermans, gjërat nuk mund të kalojnë kaq shpejt.
Ndryshe nga Juncker që përmendi vitin 2025, Timmermans thotë se nuk dëshiron të përmendë fare një datë. “Së pari, vendet duhet të plotësojnë kërkesat”, thotë ai në një intervistë për NOS.
Ish-ministri i Jashtëm i Holandës thotë se problem në këto vende është mos respektimi i ligjit si dhe korrupsioni i lartë. E për shembull konkret ai përmend raportet e fundit të korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë hapa pas.