Hetime për operacionin e arrestimit dhe dëbimit të zyrtarit serb
Inspektorati policor i Kosovës tha se ka filluar hetimet për të vërtetuar nëse ishin kryer shkelje gjatë operacionit të arrestimit dhe dëbimit të shefit të zyrës serbe për Kosovën Marko Gjuriç, muajin e kaluar.
Në një njoftim të Inspektoratit policor thuhet se departamenti i hetimeve ka filluar grumbullimin e informacioneve në lidhje me dyshimet për shkelje të mundshme nga ana e zyrtarëve të policisë.
“Lidhur me këtë operacion policor, Inspektorati ka pranuar një ankesë nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Milan Radojeviç, lidhur më disa dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës nga ana e zyrtarëve”, thuhet në njoftim, në të cilin nënvizohet se “hetuesit do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore varësisht nga të gjeturat e këtij procesi të grumbullimit të informacioneve dhe në këshillim me prokurorin përgjegjës”.
Policia e Kosovës arrestoi më 26 mars dhe më pas e dëboi zyrtarin e qeverisë serbe, Marko Gjuriç, i cili kishte hyrë pa lejë në Kosovë. Operacioni nxiti reagimin e ashpër të përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe të Beogradit, që akuzuan njësitë e policisë së Kosovës për ushtrim dhune.
Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të integrimeve evropiane.