Euro vetëm me rënie
Monedha e përbashkët ka humbur edhe sot pikë në tregun e brendshëm valutor, duke iu afruar sërish nivelit më të ulët të 10 viteve, që u arrit në fillim të muajit prill, i ndikuar nga faktorë të brendshëm, por dhe rënia e euros në bursat ndërkombëtare.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 128.96 lekë, duke rënë me 0.04 lekë në raport me ditën e mëparshme. Niveli rekord i 10 viteve ishte 128.84 lekë në datën 6 prill.
Që nga fillimi i vitit euro ka rënë me 5 lekë, ose me 3.75%. Sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë, të përpunuara nga Monitor, gjatë 313 ditëve të punës zyrtare në këto 4 muaj, euro ka rënë ose nuk ka ndryshuar për 195 ditë (62% të periudhës) dhe është rritur lehtë për 118 ditë.
Karakteristikë e muajve të fundit, sidomos në prill kanë qenë dhe luhatjet e mëdha të këmbimit të euros ndaj lekut, (shiko grafikun) ndryshe nga periudhat e mëparshme kur euro ka qenë një monedhë e qëndrueshme. Kjo sipas ekspertëve të tregut është një indikator i spekulimeve në treg.
Aktorët e tregut kanë pohuar vazhdimisht që arsyet e rënies së valutave në tregun e brendshëm lidhen së pari me ofertën e lartë të tyre (e ndikuar dhe nga ekonomia informale), kërkesën e ulët për monedhën vendase. Luhatjet e monedhave u shtuan edhe në momentin që Banka e Shqipërisë shpalli në fillim të muajit shkurt planin e saj për deeuroizimin e ekonomisë, çka bëri që individët të këmbenin depozitat në euro, apo një pjesë e tyre të mos kishin interes të mbanin depozitat në euro në banka. Nga ana tjetër, ky është një vit i rëndësishëm për shit-blerjet e bankave, që do të ndikojë si kahun e kërkesës dhe ofertës për valutë (me shi-blerje ose konvertime kapitali).
Bankierët kanë pohuar gjithsesi se në Shqipëri vendos cash-i kryesisht për çmimin e euros sesa tregu ndërkombëtare.
Efekt po japin edhe turistët, me agjencitë e mëdha që kanë parapaguar për prenotimet e hoteleve këtë verë, ndërsa në datat e pagesave të taksave ka kërkesë të shtuar për lekë nga kompanitë që kanë të ardhura në valutë.
Në rënien e euros ditët e fundit kanë ndikuar edhe luhatjet në bursa, ku euro ka zbritur në nivelet e 1.22 dollarëve. Por, pavarësisht rënies, euro në tregjet ndërkombëtare mbetet 12.25% më e lartë në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara nga Financial Times, ndërsa në Shqipëri euro është 5% më e ulët se një vit më parë (në 24 prill 2017 monedha e përbashkët këmbehej me 135.9 lekë).
Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e dobët edhe në muajt në vijim, teksa me afrimin e verës fillojnë e forcohen efektet sezonale si prurjet e emigrantëve dhe të hyrat nga turistët, që edhet këtë vit priten të jenë të shumtë në numër./monitor