Apple përgjysmon prodhimin e iPhone X
Apple reduktoi prodhimin e iPhone X për tremujorin e parë të këtij viti dhe të njëjtën masë, por edhe më të rreptë mund të marrë edhe për tremujorin që sapo ka nisur.
Apple e ndërmori këtë masë të detyruar nga shitjet e pakta në treg të telefonit më të kushtueshëm, por edhe më të avancuar të gjigantit amerikan të teknologjisë.
Në tremujorin e parë, Apple kishte planifikuar të prodhonte 40 milionë iPhone X, por duke parë sasinë e madhe të mbetur stok në treg e përgjysmoi këtë shifër duke e çuar në 20 milionë, përcjell Telegrafi.
Po 20 milionë përflitet se është edhe plani për tremujorin e dytë të këtij viti, megjithëse nga vetë kompania nuk jepet asnjë e dhënë zyrtare.
Apple e komplikoi situatën për herë të parë vitin e kaluar kur lëshoi tre pajisje të reja, që do të thotë se iPhone X konkurronte për shitje me iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus. Këto dy pajisje, të cilat fillojnë nga 699 dollarë, janë më të çmuar se paraardhësit por ofrojnë një alternativë më pak të kushtueshme për iPhone X.
iPhone X doli në shitje në tetor të vitit të kaluar dhe celulari u krijua në 10-vjetorin e daljes së iPhone dhe u hodh në treg për një çmim prej rreth njëmijë dollarë.