AktualitetEkonomiTë fundit

AIDA: Përfitoni nga fondet që shpërndajmë ne

 Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që duan të investojnë për të rritur konkurrushërinë  tyre, të përmirësojnë teknologjinë, të zhvillojnë produkte të reja apo janë thjesht sipërmarrje të reja “Start up” mund të përfitojnë nga fondet që shpërndahen përmes Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve.  Agjencia së fundmi ka çelur fazën e aplikimeve për të përthithur këto fonde dhe palët e interesuara kanë afat deri në 1 nëntor për të paraqitur projektet.

“Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve(AIDA), në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme(NVM), me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë, forcimin e kapaciteteve prodhuese dhe daljen e tyre në treg, menaxhon për vitin 2018 këto skema financiare nga buxheti i shtetit: Fondin Shqiptar të Konkurrueshmërisë; Fondin e Ekonomisë Kreative (Artizanatit); Fondin në mbështetje të Sipërmarrjeve të reja ”Start Up” dhe Fondin e Inovacionit.

AIDA njofton se aplikimi për fondet për vitin 2018 është i hapur deri më datë, 01.11.2018. Kjo ofron një mundësi për të gjithë NVM-të për të aplikuar dhe bërë pjesë e skemës së përfitimit të fondeve” thuhet në njoftimin e bërë nga AIDA.

Katër fondet në dispozicion për 2018 në total 63 milionë lekë

Janë të paktën katër lloje fondesh që menaxhohen nga ana e AIDA-s dhe ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të aplikojnë sipas nevojës. I pari është fondi i konkurrueshmërisë. Për vitin 2018 në këtë fond janë parashikuar 28 milionë lekë me fokus mbështetjen e sektorit të industrisë përpunuese, industrinë e lehtë, agropërpunimin, kërkimin dhe zhvillimin. Granet nuk mbulojnë kostot e plota të projektit që kërkon të zbatojë biznesi.

Së dyti është fondi i ekonomisë kreative i cili për vitin 2018 kap vlerën 10 milionë lekë. Fondi ofron subvencion të shpenzimeve që kanë të bëjnë me aktivitetin të miratuara në bazë të ndarjes së shpenzimeve. Projektet që përzgjidhen janë kryesisht nga fusha e artizanatit dhe mbështesin zhvillimin e produkteve të reja, blerjen e pajisjeve për nxitjen e prodhimit, marketingun e produktit, kualifikimin dhe ndërtimin e kapaciteteve menaxheriale të ndërmarrjes aplikuese.

Fondi i tretë është ai për sipërmarrjet “Start up”. Edhe ky fond për vitin 2018 është 10 milionë lekë që do të ndahen në formën e granteve mes aplikantëve që do të shpallen fitues dhe do të mbulojë 70 për qind të kostove të angazhuara. Ndërmarrjet që mund të përfitojnë nga ky fond duhet t’i përkasin të paktën njërit nga sektorët e specifikuar që janë prodhim dhe shërbim, industri e lehtë, turizëm, kërkim dhe zhvillim, agropërpunim, dizejnim, modelim artizanat.

Fondi i katërt është ai për inovacionin. Për vitin 2018 ky fond do të jetë 15 milionë lekë. Qëllimi i fondit është t’i shtohet buxhetit të ndërmarrjes, duke shërbyer si një nxitje për NVM-të për të audituar nevojat e tyre për inovacion dhe teknologji, për të identifikuar furnizues teknologjie dhe partnerë në shtete të tjera, të ndihmojë dhe lehtësojë promovimin dhe licencimin apo patentimin e inovacioneve të NVM-ve duke bërë të mundur që NVM-të përfituese të arrijnë më shumë nga sa ato do të mund të arrinin vetëm me mjetet e tyre.

Një ndërmarrje mund të përfitojë  maksimalisht 400,000 Lek për një projekt;

Skema mbulon 50% të kostove të pranuara brenda limitit të mësipërm. Përfitimi i ndërmarrjeve nga mbështetja e programeve apo projekteve për mbulimin e 50% të shpenzimeve të tjera të projektit, që nuk mbulohen nga Fondi i Inovacionit, duke përdorur fonde nga donatorët apo institucione financiare ndërkombëtare, nuk përbën pengesë për përfitim edhe nga Fondi i Inovacionit për të njëjtin projekt;

Pagesa e fondit të përfituar bëhet 50% në fillim të projektit dhe 50% në përfundim të projektit, kundrejt faturës/faturave e cila/të cilat vërteton/vërtetojnë shpenzimet e kryera të cilat do të dorëzohen në përfundim të projektit;

Në një vit, mund të asistohet 1 projekt për çdo ndërmarrje./Monitor