AktualitetBota+PolitikëTë fundit

Rusia: Anëtarësimi në NATO i vendeve të Ballkanit, rrezik për sigurinë

Zgjerimi i NATO-s me anëtarë të rinj nga vendet e Ballkanit, po minon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit, tha të hënën një anëtare me peshë e parlamentit rus.

Valentina Matviyenko, kryetare e Dhomës së Lartë të parlamentit rus, duke folur në Dhomën e Lartë të parlamentit të Bosnjës, veçoi Malin e Zi që së fundmi u bë anëtar i NATO-s, por kritikoi gjithashtu aspiratat e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, që binte ndesh me vullnetin e praktikisht gjysmës së qytetarëve së qytetarëve të saj, është bërë shkelja më e ashpër e parimeve bazë të demokracisë moderne”, tha zonja Matviyenko.

Maqedonia po përpiqet të bëjë “të nëjtin eksperiment të rrezikshëm”, tha ajo.

“Ky hap veçse sjell më shumë destabilizim të gjendjes në rajon. Minon sistemin e sigurisë evropiane”, shtoi ajo.

Qeveritë perëndimore e shohin anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian si mënyrën më të mire të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Mali i Zi hyri në aleancën ushtarake vitin e kaluar dhe shpreson të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në vitin 2025, në të njëjtën kohë si Serbia.

Kroacia u anëtarësua në prill 2009.

Si Mali i Zi, ashtu edhe Maqedonia kanë dëbuar diplomatë rusë pas helmimit me agjentin nervor të një ish-agjenti të dyfishtë rus.

Qeveria britanike ka fajësuar Moskën për sulmin, ndërsa Rusia mohon të ketë pasur rol. Kremlini reagoi duke dëbuar një diplomat malazez dhe thirrën zyrtarë të ambasadës nga Maqedonia.

Prokurorët malazezë thonë se një grup nacionalistësh serbë dhe agjentësh rusë bënë komplot për të vrarë ish-kryeministrin Milo Djukanovic në një përpjekje për grusht shteti në zgjedhjet e vitit 2016, për të parandaluar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Kremlini i hodhi poshtë si absurde këto akuza./VOA