MONIKA STAFA: Sundimi i së drejtës dhe kur paraja gjendet në rrezik
Europa Lindore dhe kërcënimi prej saj për të kthyer prapa në vijën e saj.
Javë më parë, kur Komisioneri europian për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore, Gunther Oettinger, u shfaq në parlamentin polak, me dhjetëra kamera u drejtuan drejt tij. Ndërsa mbante frymën e parë në foltore, një gazetar e shigjetoi me pyetjen që i erdhi aq shpejt në gjermanisht, nëse kish shpresa të ndryshonte diçka sa i përket “subvencioneve rajonale”. Megjithëse për gjermanin e Merkel, pyetja ishte e formuluar mjaft mirë teknikisht, një gjë ishte e sigurt; çfarë ai do të thoshte do të përbënte një ‘big news’ për Poloninë. Cila ishte pyetja? A do të vazhdojë Bashkimi Evropian t’i japë subvencione Polonisë, nëse vendi nuk do i përmbahej parimeve themelore të shtetit të së drejtës? Dhe pas kësaj e në vazhdim të kësaj vizite në Varshavë, aty nga fundi i marsit, për Komisionerin europian, kjo do të bëhej shënjestra e pikëtakimeve të tij në agjendën e ditës.
Mbi filozofinë e shtetit të së drejtës dhe parimet e tij, krijuar që pas L.II.B., kemi sot një union si Bashkimi Europian, i cili vazhdimisht paraqet si kalin e saj të betejës, vlerat europiane të së drejtës, ato humane dhe progresive të një Europe të bashkuar. Sot kontinenti ka ndryshuar. Kemi një Europë që po tenton të shkojë drejt shkatërrimit të partive politike ekzistuese dhe krijimit të një platforme të re proeuropiane, thelbi i së cilës është refuzimi i statuskuosë. Por a do të rrezikojnë liderët europianë t’i sfidojnë aq shumë partitë e qendrës, që shumica po qeverisin në Europë? Si do të veprohet ndërsa tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit po rriten në avancë? Mbi të gjitha sot mbi Poloninë dhe vendet e tjera të Evropës Lindore po ngrihen qartazi shumë pikëpyetje që shprehin hapur mosbesueshmërinë që Brukseli ka ndaj sistemit të tyre të qeverisjes e që këtej si pritet të jetë buxheti i ardhshëm i BE-së për këto vende dhe sa nga ato pritet të marrin subvencione të kënaqshme nisur nga kushtet e përmendura më lart? Burime pranë Brukselit bëjnë qartazi me dije se pritet të ketë shumë më pak para prej subvencioneve sesa në të kaluarën për këtë pjesë të Europës dhe fajin për këtë, duhet ta mbajnë vetë autoritetet qeverisëse. Polonia në veçanti, ka njohur mosmarrëveshje të hapëta lidhur me kushtet që këto para të vijnë. Në përgjigje të reformave të diskutueshme gjyqësore të partisë qeverisëse në vend, ku gjyqtarët e zgjedhur presupozohen të jenë aleatë besnikë me qeverinë, Komisioni Evropian zbatoi procedurat ligjore sipas nenit 7 të traktatit të BE-së. Procedurat në fund të fundit, mund ta zhveshin Poloninë prej të drejtave të votimit në organet e BE-së, të paktën në teori. Por deri më tani, njeriu më i fuqishëm i Polonisë, kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaw Kaczynski, thjesht e ka injoruar Brukselin. Çfarë po ndodh? Brukseli po vendos mekanizma të tjerë në sistem për të çuar përpara projektet. Sipas Oettinger, Komisionerit për buxhetin në BE, këto mekanizma lubrifikues do duhet ta bindin së fundmi Varshavën të lëvizë.
Procesi i negociatave në BE për çdo vend apo projekt nuk bëhen kurrë aq të vështira sa kur në mes është paraja, e cila paraqitet në rrezik, veçanërisht kur as më pak e as më shumë se 1 trilion euro duhet të ndahen. Aq i vështirë paraqitet ky proces, sa negocimet e fundit mes kontributorve në buxhetin e BE-së dhe përfituesve morën plot 29 muaj. Situata u duk të jetë sigurisht edhe më e vështirë këtë herë, sepse edhe pse BE ka në plan të shpenzojë më shumë para në çështje si mbrojtja e kufijve të saj të jashtëm, në integrimin e emigrantëve apo dhe në kërkim shkencor panevropian, ajo pritet të ketë më pak para sidomos me Brex-in, që d.m.th. largimit të njërit prej shteteve financiare më të fuqishëm të saj. Ndaj është e kuptueshme përse Oettinger, ia pasoi me një pyetje-përgjigje gazetarit që kërkoi prej Komisionerit se ç’do të bëhej me subvencionet rajonale të BE-së duke qesëndisur të ardhmen e autoriteteve të gjysmës lindore të Europës: A mos vallë duhet që BE ‘të përdorë’ buxhetin e saj për të disiplinuar disa shtete kokëforte anëtare të BE-së? Komisioni nuk ka marrë një vendim përfundimtar, por pozicioni i Oettinger, është i qartë. Në një mbledhje të Komisionit gjatë marsit, ai pat marrë një mbështetje të gjerë për idenë e tij. Ekspertët thonë se situata brenda Brukselit në këtë moment duket të jetë potencialisht shpërthyese. Zërat burokratë në korridoret e tij, pohojnë se ekspertët e BE-së ndjehen mjaft të lodhur prej transferimit të miliarda eurove në vit drejt Evropës Lindore, drejt atyre që në fund të fundit shfaqen të jenë shumë më të zotë në kokëçarjet që sjellin se sa në punët që duhet të kryejnë. Bëhet me dije se vetëm vendet e Grupit të Vishegradit si Polonia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria, kanë marrë rreth 150 miliardë euro si subvencion prej buxhetit të BE-së që nga viti 2007. Por kur është fjala për çështje si refugjatët apo respektimi i vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, janë pikërisht ato që i kthejnë shpinën BE-së. Me sa duket kjo është një qasje, thonë zyrtarët europianë, që veçanërisht u shërben partive populiste të krahut të djathtë. Dhe ç’është më e keqja të tilla ankesa gjithnjë e më shumë po miratohen nga qeveria e Kancelares Angela Merkel shkruajnë burime nga kritika gjermane. Nuk duhet ta heqim nga mendja se filozofia e krijimit të Bashkimit Europian është një filozofi, e cila nxit idealet e pastra për një kontinent të bashkuar që mbështetet në vlera puritane, ku të ndryshmit dhe tjetri, duhet të njihen si një me veten. Europa nuk është një treg i vetëm në botë dhe as nuk duhet të sillet si e tillë, shprehej një anëtar i SPD-së gjermane në një nga daljet e tij televizive. Megjithatë edhe kjo duhet të reflektohet në buxhetin e BE-së, nënvizoi ai duke theksuar se kushti ama është që të gjitha shtetet anëtare, të jenë të detyruara t’u përmbahen parimeve të shtetit të së drejtës. Nëse kjo nuk ndodh, sipas tyre atëherë sigurisht Brukseli do të duhet të rishohë çdo vit ndarjen e fondeve kundrejt sjelljeve që këto shtete kanë.
Hovet e zhvillimit në mbarë botën, po kërcënojnë gjithmonë e më shumë thellimin më tej të ndarjes mes lindjes dhe perëndimit, në një kohë kur duhet të tregohet unitet sidomos pas sulmit me gaz nervor në Salisbury dhe kërcënimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për një luftë tregtare. “Një luftë përballë emigracionit, bashkimit, subvencioneve bujqësore, apo dhe fondeve për një forcë të mbrojtjes së dyanshme pritet të ndajë BE-në,” paralajmëroi Oettinger atë ditë, në parlamentin e Varshavës ndërsa Komisioneri për bujqësisë në BE, ankohej ndër të tjera se rivaliteti mes lindjes dhe perëndimit vazhdon të kacavirret në një debat të tejlodhshëm. Edhe ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjithashtu, pat shprehur shqetësim gjatë një udhëtimi të fundit të tij në Varshavë, sapo mori postin e tij të ri. Çështja e shtetit të së drejtës, ishte një nga pikat e diskutuara në takim me homologun e tij polak ku ndër të tjera në një lloj forme, ai pat këshilluar titullarin polak të kujdeseshin që situata të shkonte sipas rregullave të përcaktuara ku fondet strukturore të Brukselit të shkonin atje ku duhej. Por pa dyshim në fund të ditës, ai mendon se qeveria gjermane mbështet planin e Komisionit Evropian, i cili është një plan që bashkon vlerat dhe paratë sepse argumentimi është fare i thjeshtë: nëse Gjermania paguan më shumë në buxhetin e BE-së në të ardhmen, siç dhe ajo e ka konfirmuar tashmë, atëherë Berlini pritet të ketë një zë në atë, se si shpenzohen këto para. Për fat të mirë është Oettinger, ai, i cili ka marrë në dorë çështjen. “Ne mund t’i aplikojmë burimet tona financiare vetëm në ato vende ku jemi të sigurt se ushtrohet një gjyqësor i pavarur, u tha ai sipërmarrësve të mëdhenj e të vegjël në Varshavë, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm për forcën e kërcënimit të tij. Fondet që u janë dhënë këtyre shteteve janë përdorur në një përpjekje për të ngritur standardin e jetesës, në Evropën Lindore më afër asaj që gëzohet në perëndim. Kjo u paraqit si një histori suksesi që drejtori i përgjithshëm i BE-së për politikat rajonale, e propozoi para një komisioni audituesish mbi buxhetin gjatë muajit mars. Por ajo që në prezantimin e tij nuk u përmend, ishte diçka që, gjithashtu, mbetet pjesë e jetës së përditshme evropiane: audituesit shpesh gjejnë raste të keqpërdorimit të fondeve europiane. Çfarë ndodh që këtej? Megjithëse paraqiten si këshilltarë të devotshëm të Brukselit dhe rregullave të mirëpërcaktuara të tij deri në një kushtëzim të parezistueshëm, janë vetë këta teknokratë, të cilët i druhen frikës së qeveritë e lindjes mund të bien përsëri në linjën e mëparshme më shumë nga sa mund të mendohej më parë. E nëse kjo gjysmë e kontinentit kërcënon me një qëndrim të tillë, duket se Europa nuk mund të jetë më familja e bukur e vlerave, ndaj që këtej vijnë hapësirat për kompromise. Çfarë është menduar është thjesht një ‘trick’ i padjallëzuar nëse Polonia vazhdon t’i besojë Europës. Kjo është ajo çfarë konfirmoi Oettinger në Varshavë, për të mos përfshirë një klauzole sa i përket ‘sundimit të ligjit’ si kushtin parësor në strukturën e buxhetit të Brukselit, ndërsa një propozim tjetër ishte lëshimi i parave në një datë të mëvonshme. Zyrtarisht, Komisioni, në fakt, e ka mohuar një skemë të tillë, por diplomatët me njohuri të çështjes i kanë konfirmuar burimeve të një të përditshme gjermane se një propozim i tillë reciprok, në fakt, është shtruar në tryezë.
Do të ishte një marrëveshje ku të gjithë do të dilnin fitues: BE, sepse në fund të fundit i mungojnë votat për të nxjerrë sanksione kundër Polonisë (meqë Hungaria tashmë ka njoftuar se do të përdorte veton); qeveria polake, sepse do t’i kthehej zemërgjerësia e Brukselit; dhe ministri i Jashtëm Maas, i cili do të çlirohej nga pozitat e pakëndshme të procesit të manovrimit mes Brukselit dhe Varshavës. Berlini u inkurajua. Edhe pse Varshava deri tani ka ngritur vetëm perspektivën e ndryshimeve kozmetike në reformën gjyqësore, qeveria gjermane megjithatë thotë se diskutimi i plan- buxhetit të ardhshëm të BE-së po prodhon rezultatet e para.
Arsyeja kryesore, thotë Inge Grässle, kryetarja e Komitetit të Kontrollit Buxhetor të Parlamentit Europian, është se BE nuk ka kapacitet për të monitoruar përdorimin e fondeve të saj, që do të thotë se vendet përfituese duhet ta bëjnë vetë. Grässle, e cila ashtu si Oettinger është anëtare e CDU-së së Merkel, thotë se nuk është e habitshme aspak që vendet nuk duan të ekspozojnë abuzimet në vendet e tyre. Shohim një rast interesant: shtatorin e kaluar, p.sh. Grässle dhe ekipi i saj udhëtuan për në Budapest, ku, përveç bisedimeve me qeverinë, vizita përfshiu një udhëtim në një hekurudhë të ngushtë. Treni nuk kishte shumë pasagjerë, por udhëtonte nëpër një zonë pranë vendlindjes së kryeministrit Viktor Orbán, një rrethanë që ngriti dyshimin midis ekspertëve. Problemet filluan të rriteshin edhe gjatë fazave të planifikimit të agjendës së tyre shprehen burime pranë Brukselit. “Përgatitja dhe organizimi i kësaj vizite u vështirësua që prej mungesës fillestare të bashkëpunimit me autoritetet hungareze”, thuhej në një raport të mëvonshëm mbi vendet e vizitës. Raporti ishte, gjithashtu, shkatërrues në përfundimin e tij se “shpenzimet publike në Hungari, kryesisht vuajnë nga mungesa e transparencës dhe rreziku i korrupsionit në vendimmarrjen publike është perceptuar të jetë i lartë”. Situata paraqitet akoma dhe më e tensionuar në Sllovaki, veçanërisht pas vrasjes së gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij. Kuçak kishte mësuar përmes kërkimeve të tij se paratë e BE-së, duket se po hynin në kanale mafioze. Një delegacion i organizuar me shpejtësi nga Parlamenti Evropian vizitoi vendin në fillim të marsit në kërkim të përgjigjeve për një listë të gjatë pyetjesh. Por qeveria sllovake nuk u duk e vullnetshme për t’i qartësuar gjërat. Në një rast, madje, ajo as nuk ofroi një përkthyes simultan dhe në një tjetër, sipas raportit të zyrtarëve të Brukselit, sllovakët u përpoqën të parandalonin të gjithë delegacionin që të ishte i pranishëm në bisedime. Që këtej duket se përfundimet e Grässle nuk janë dhe aq të habitshme. “Do të doja të shihja instrumente më të forta në projektbuxhetin e ardhshëm financiar qe shprehur ajo, dhe të shoh një marrëdhënie më të fortë me çështjen e sundimit të ligjit”. Çdo subvencionim që duhet të vijë prej Brukselit në të ardhmen, do të duhet të monitorohet mirë e të kufizohet nëse gjenden shkeljet të parimeve të shtetit të së drejtës. Duhet thënë që kërcënimi gjithsesi e pati tashmë efektin e vet. Procedurat në vazhdim ndaj Polonisë kanë treguar se po zhvillohen krejtësisht në një formë të re. Për muaj të tërë, Polonia e pat kundërshtuar Komisionin Evropian, por kohët e fundit, polakët, për herë të parë treguan se janë të gatshëm të bëjnë disa ndryshime në reformën gjyqësore. Ata kanë dorëzuar në Bruksel tre propozime. Vlerësimi në Bruksel është pozitiv e sigurisht larg nga sa kërkesat e BE-së mund të përmbushen, por shumë besojnë se sugjerimet për përmirësim janë vetëm një sinjal paraprak. “Të tjera do të ndiqen pas kësaj”, guxoi gëzueshëm të bëjë Kasandrën një diplomat në BE./ GSH