AktualitetPolitikëTë fundit

Indeksi NPG: Shqipëria e fundit në kërkime shkencore

Shqipëria është në shtetet e fundit në Europë dhe botë sa i përket kërkimeve shkencore, sipas të dhënave të Indeksit NPG, i cili merr në konsideratë kërkimet e periudhës 1 shkurt 2017 deri më 31 janar 2018, shkruan Monitor.

Çdo vit, Indeksi i NPG (Nature Index) publikon tabela të bazuara në impaktet e kërkimeve cilësore për secilin shtet, sipas institucioneve që ndërmarrin kërkimet dhe që përpilohet nga Nature Publishing Group (NPG).

Indeksi mundëson një panoramë të përgjithshme duke nënvizuar se cilat shtete kanë performancën më të mirë në fushën e kërkimeve, në disiplina të ndryshme, duke ofruar kështu qasjen për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë.

Ndonëse të dhënat tregojnë se vendi ynë ka bërë përmirësime krahasuar me Indeksin e një viti më parë, gjithsesi fqinjët si Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, kanë treguar një renditje më të mirë. Serbia duhet theksuar se ka një performancë dukshëm më të lartë në këtë fushë në rajonin e Ballkanit. Sipas të dhënave të Indeksit, Serbia ka pikësim 9.67, e dyta Bosnjë – Hercegovina 1.02, Maqedonia 0.93, Shqipëria 0.24 dhe Mali i Zi 0.04.

Shtetet me performancë më të ulët në fushën e kërkimeve kanë shfaqur vendi ynë, Lihtenshajni dhe Mali i Zi, i cili ndodhet i fundit në Europën e kryesuar nga Gjermanët, për të tretin vit radhazi. Në panoramën botërore, SHBA kryeson, ndjekur nga Kina, Gjermania, Britania dhe Japonia.

Në një publikim të mëparshëm në revistën Monitor, tregohet se kërkimi shkencor mbetet ende i vakët në vend. Edhe ato pak projekte që arrijnë të paraqiten pranë programeve të Bashkimit Europian nuk arrijnë të kalojnë të gjitha filtrat duke u refuzuar. Në një dokument, qeveria pranon se jemi të fundit në rajon sa i përket kërkimit shkencor financuar nga programet e Bashkimit Europian. Vetëm 4.8 për qind e atyre që kanë aplikuar kanë arritur të kenë sukses duke përthithur një shumë modeste nga fondet.

“Programi Kuadër i BE për kërkim shkencor e inovacion Horizon 2020 ka një fokus të veçantë për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes biznesit e komunitetit kërkimor shkencor. Gjatë dy viteve të para të zbatimit të tij 2014-2016, IAL-et institutet e qendrat kërkimore në vend janë përpjekur të marrin pjesë e të përfitojnë nga ky program, por të dhënat e deritanishme dëshmojnë se Shqipëria ende ka nivele të ulëta të pjesëmarrjes e përthithjes së fondeve edhe përkundrejt vendeve të tjera të Ballkanit” thuhet në dokument.