Bursa e Energjisë: Miratohen rregullat e tregut
Kanë kaluar të paktën katër muaj nga momenti kur Enti Rregullator i Enegjisë miratoi vendimin për rregullat në tregun shqiptar të energjisë elektrike dhe marrëveshjes së pjesëmarrjes në Bursën Shqiptare të Energjisë. Por vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare vetëm në datë 17 prill 2018 dhe ankimi nga palët e interesit mund të bëhet brenda 30 ditëve nga data e publikimit.
Ky hap, që automatikisht u jep fuqi vendimit, e çon më tej rregullimin sipas modelit të ri të tregut dhe ngritjen e Bursës së Energjisë. Ai vjen ne një moment kur liberalizimi i tregut është në një fazë tranzitore të shtyrë deri në vitin 2020 si dhe ndarjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në tre kompani të tjera. Aktualisht Shqipëria po asistohet nga Korporata Financiare Ndëkrombëtare për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme të Bursës së Energjisë që do të menaxhohet nga Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Rregullat e tregut dhe bursës
Në një vendim me rreth 250 faqe, Enti Rregullator ka përcaktuar disa nga çështjet kryesore të funksionimit të tregut të energjisë, aktorëve të tij, mënyrën sesi do të operojë bursa. Tregtimi i energjisë në platformën e Bursës do të bëhet sipas parimit të një dite më parë. Porcioni i tregtimit do të jetë 0.1 MW, kurse madhësia e impulsit euro 0.1/MW. Pra monedha që do të përdoret për transaksionet do të jetë euro.
“Tregu Shqiptar i Një Dite më Parë ofron mundësinë e tregtimit në kuptimin e tregtisë së një dite më parë, bazuar në të gjitha porositë e marra nga anëtarët përpara mbylljes së portës”, thuhet në shtojcat e rregullave të tregtimit.
Rregullorja sqaron mënyrën sesi do të njoftohen pjesëmarrësit e tregutm sesi do të vendoset gama e çmimeve, si do të trajtohen gabimet, vonesat apo dështimet e ankandeve.
Një ndër pikat më të rëndësishme është ajo që lidhet me disbalancat. Aktualisht peshën e kësaj pjese e mban OST ndërkohë që me ngritjen e bursës së energjisë disbalancat do të paguhen nga pala përgjegëse. Por çfarë është një disbalancë? Është diferenca mes gjenerimit, energjisë së tregtuar dhe konsumit të të gjitha palëve përgjegjëse balancuese dhe të çdo pale përgjegjëse balancuese. Sa më të mëdha të jenë diferencat mes parashikimit dhe konsumit real aq më e lartë është kostoja në sistem.
“Çmimi i energjisë balancuese që do të paguhet nga pala përgjegjëse, do të vendoset në koston reale që OST-ja merr për balancimin e sistemit, për periudhën përkatëse, që mbulon rezervat balancuese dhe të energjisë” thuhet në dokument.
I njëjti përcakton edhe marrveshjet që duhet të lidhen mes palëve të interesit, mënyra sesi do të bëhet regjistrimi në bursë dhe kushtet që duhet të plotësojnë operatorët përfshirë garancitë./Monitor