Aksident me pasoja të rënda në Korenë e Veriut
Disa turistë kinezë janë përfshirë në një aksident të rëndë me autobus në Korenë e Veriut, i cili la pas vetes viktima, njoftuan të hënën mediet shtetërore të Kinës dhe qeveria, pa dhënë hollësi të tjera lidhur me numrin e të vdekurve ose të plagosurve.
Vizitorët kinezë përbëjnë rreth 80 për qind të të gjithë turistëve të huaj në Korenë e Veriut. Sipas pohimeve të Koresë së Jugut, turizmi i siguron të ardhura prej rreth 44 milionë dollarësh çdo vit për vendin e izoluar.
Diplomatë kinezë kanë shkuar në vendin aksidentit në provincën veriore Hwanghae, njoftoi ministria e jashtme.
Përmes një mesazhi në rrjetin social Twitter më herët gjatë ditës, kanali televiziv shtetëror kinez tha se një autobus turistësh kishte rënë nga një urë duke lënë pas vetes më shumë se 30 të vdekur, por më pas ky mesazh u fshi.
Kanali kryesor i televizionit shtetëror më vonë transmetoi pamje të një autobusi të rrëzuar ngjyrë blu me rrota në ajër, pamje këto të marra në shi dhe errësirë. Aty u shfaq të paktën një person që po trajtohej në spital, por nuk u dha asnjë hollësi tjetër rreth pasojave.
Në një komunikatë të veçantë, ministria e shëndetësisë e Kinës tha se ka dërguar një ekip ekspertësh mjekësor së bashku me pajisje dhe ilaçe në Korenë e Veriut për të ndihmuar në trajtimin e të mbijetuarve.
Provinca veriore Hwanghae që kufizohet me Korenë e Jugut është pjesë e Kaesong, një kryeqytet i lashtë korean, me shumë turistë. Koreja e Veriut është një destinacion i popullarizuar turistik për kinezët, veçanërisht ata nga verilindja e vendit. Kina tha se më shumë se 237 mijë kinezë e vizituan atë në vitin 2012, por më pas ndaloi botimin e shifrave në vitin 2013.
Kina është mbështetësja më e rëndësishme ekonomike dhe diplomatike e Koresë së Veriut, pavarësisht zemërimit të Pekinit për provat e përsëritura bërthamore dhe raketore të Pyongyangut dhe mbështetjes për sanksione të forta të Kombeve të Bashkuara kundër Koresë së Veriut.
Koreja e Veriut dhe Koreja e Jugut janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për një takim midis udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe Presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, në fshatin kufitar Panmunjom të premten./VOA