Rafineria e naftës në Elbasan nën hetim për ndotjen e lumit me mbetje toksike
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp të përpiluar të premten dhe të shpërndarë të shtunën, Drejtoria e Policisë në Elbasan njoftoi se rafineria e ndërtuar në fshatin Balldren të njësisë administrative Papër – e cila filloi punë në vitin 2016, do të ndiqej penalisht për “ndotje të ujërave” në bazë të nenit 203 të Kodit Penal.
Sipas policisë “gjatë ushtrimit të aktivitetit rafineria shkarkon mbetjet toksike në natyrë duke ndotur ambjentin dhe ujërat në përroin e fshatit Balldren”.
Të premten në mëngjes në zonën industriale në Elbasan, përfshirë dhe në rafinerinë e naftës të kompanisë R.B.H Beline ushtroi një inpektim kryetari i bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe deputeti i Partisë Socialiste Taulant Balla, të cilët i kërkuan ministrit të Mjedisit Blendi Klosi nëpërmjet rrjetit social Facebook, të marrë masa ndaj kompanive që ndosin mjedisin.
“Rafineria e naftës është ndotës jo vetëm e ajërit, por është tepër e rëndë situata me mbetjet e naftës që derdhet në kanalet e kullimit të arave bujqësore dhe më pas në Shkumbin,” shkruan Balla “Është një vepër penale shumë e rëndë,” shtoi Balla.
Më herët Bashkia Elbasan gjithashtu nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook deklaroi se vizita në zonë ishte një inspektimin për të parë nga afër situatën, ndërkohë që Sejdini ka ftuar dhe ministrin Klosi ta monitorojë zonën.
Postimet e Ballës dhe Sejdinit u ndoqën nga njoftimi i policisë për hapjen e hetimeve, një sekuencë ngjarjesh që për presidentin e rafinerisë R.B.H Beline ngre dyshime se procedimi ndaj kompanisë është i motivuar politiksht.
I kontaktuar nga BIRN presidenti i kompanisë së proceduar Rebani Likometa tha se shteti funksionon me institucione dhe jo me politikë Facebooku apo portalesh. “Nuk mund të nisesh nga deklarata politike për të proceduar një kompani”, tha Likometa.
Megjithatë ndotja nga rafineria dhe ankesat e banorëve për të ishin denoncuar më herët në një investigim të BIRN në nëntor 2017.
Rafineria e përpunimit të naftës bruto nisi të ndërtohej në vitin 2014 në fshatin Balldren të Elbasanit nga kompania “R.B.H Belinë”, e cila më parë e ushtronte aktivitetin e saj në fshatin Zharrëz të Fierit. Kompania, e cila zotërohet 50 me 50 nga aksionerët Rebani Likometa dhe Halil Gashi nisi punimet në Elbasan falë një miratimi paraprak të Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë të vitit 2014.
Investigimi i BIRN gjeti se rafineria iu shtua problemeve shumëvjeçare të ndotjes së mjedisit në zonë, të shkaktuara nga një numër i madh biznesesh industriale si uzina e ferrokromit, ajo e prodhimit të çelikut e kompanisë “Kurum International”, fabrika të gëlqeres, e tullave refrektare apo disa industri të tjera më të vogla. Të gjitha këto industri, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN i kanë shkaktuar ndotje në shkallë të gjerë të ajrit, ujërave dhe tokës, si dhe kanë lënë gjurmë në shëndetin e popullatës, e cila vuan në nivele të larta të sëmundjeve tumorale dhe atyre të rrugëve të frymëmarrjes.
I pyetuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, Rebani Likometa mohoi se rafineria ndoste përtej masave të lejuara nga ligji.
“Ka agjenci të mbrojtjes së mjedisit nëse ka mangësi. Ne jemi të detyruar ti përgjigjemi detyrave që na lënë nga kontrollet që bëjne,” tha Likometa.
“Unë e kërkoj vetë që të na monitorojnë pasi vetë kam kontaktuar z. Balla dhe i kam thënë se nuk është rafineria që ndot duke e shoqëruar edhe me prova”, shtoi ai, ndërsa e cilësoi procedimin “të paligjshëm dhe tendencioz”.