Përkthyesja e gjuhës së shenjave; 21-vjeçarja, e mësoi autodidakt…
Në Shqipëri janë vetëm katër përkthyes që dinë gjuhën e shenjave. Një prej tyre është edhe 21 vjeçarja Aleksandra Panganika, e cila e ka mësuar këtë gjuhë autodidakt dhe tani i vjen në ndihmë edhe atyre që nuk flasin e nuk dëgjojnë.
Megjithëse, kujton se nuk e kish paramenduar ndonjëherë se një ditë do të ishte përkthyese e gjuhës së shenjave. 21 vjeçarja thotë se dëshira për të njohur këtë gjuhë lindi si kureshtje ndaj të veçantës, pa e kuptuar se më vonë do të kthehej në një mision.
“Mësimet e para ishin ose në youtube ose në disa klasa herë me pagesë herë pa pagesë, mësova fjalët e elementare”, tregon Aleksandra Panganika.
21-vjeçarja tregon se pas 3 vitesh që e zotëron mirë gjuhën Shqipe të shenjave ka krijuar miqësi me persona që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë, mbi gjuhën.
“Gjuha e trupit është gjuha e ndjenjave, është një gjuhë që nuk ka nevojë të zgjedhësh fjalët më të bukura për të thënë diçka, por është ajo që ndjen, mimika jote, që shprehin më shumë sesa do doje të thoje me fjalë. Është një gjë e bukur me gjuhën e shenjave, pasi një fjali kthehet në pyetëse vetëm me lëvizjen e vetullave”, tregon ajo.
Aleksandra nuk është vetëm lehtësi komunikimi për personat që nuk dëgjojnë. Ajo është zëri, veshët dhe një krah ku ata rrëfehen për çfarë i shqetëson.
“Ata kanë një shkollim të munguar, kanë vetëm një shkollë 9 vjeçare pastaj u duhet të ngujohen në shtëpitë e tyre, nuk ka një gjimnaz apo një shkollë profesionale që t’u mundësojë atyre vazhdimin e një karriere”, tregon ajo.
Aleksandra thotë se shokët i kërkojnë shpesh ti përkthejë në ambiente të ndryshme, qoftë edhe në zyrat e shtetit, por nuk mund ta bëjë këtë pasi nuk ka licencë. Dhe megjithëse është e interesuar, nuk ka ku ta marrë.
“Shteti shqiptar nuk ofron kurse të tilla dhe nuk e njeh interpretin e gjuhës së shenjave si profesion, prandaj këto kurse ofrohen nga ndërkombëtarët. Janë 39 mijë persona që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë dhe që mbulohen nga 6 përkthyes, nga ana tjetër ka të rinj si unë që dëshirojnë të bëhen përkthyes dhe s’kanë mundësi sepse s’kemi një diplomë”, thotë 21-vjeçarja.
Aleksandra është e re, por kjo nuk e bën të pavendosur për atë që kërkon. me Pas disa vitesh, ajo thotë se e ka arritur pjekurinë për të orientuar drejt për të ardhmen e saj, të qenit përkthyese e licencuar e gjuhës së shenjave. Dhe sigurisht, nuk heziton ti drejtohet ministrisë së arsimit, edhe me një kërkesë konkrete
“Do doja që njësoj sikur disa njerëz vijnë dhe flasin për komunitetin LGBTI dhe informojnë për seksualitetin e ndryshëm, një gjë e tillë të ndodhte edhe me gjuhën e shenjave”, shprehet Aleksandra Panganika.