AktualitetEkonomiTë fundit

Kashar: Luftë me flakët, shkrumbohet fabrika e riciklimit

Një fabrikë riciklimi mbetjesh në Kashar është përfshirë nga flakët paraditen e sotme. Zjarri vijon prej orës 10:00 në magazinën e fabrikës ‘Everest’, ndërsa janë dëgjuar edhe disa shpërthime të vogla brenda godinës.

Prej më shumë se dy orësh, zjarrfikësit, por edhe forcat e ushtrisë janë duke luftuar me flakët që thuajse shkrumbuan një fabrikë riciklimi mbetjesh.

Për shkak të materialeve që gjendeshin brenda godinës, puna e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve është mjaft e vështirë. Pranë zonës gjenden edhe dy pika karburanti, por policia bën të ditur se nuk ka rrezik. Më herët, policia njoftoi edhe se fatmirësisht nuk ka persona të plagosur.

Nga Shërbimet Zjarrfikëse të kryeqytetit, bëhet me dije se janë dërguar të gjitha makinat e zjarrfikëseve për të shuar flakët. Duke qenë se përmasat e flakëve janë të mëdha paraqitet shumë vështirësi për shuarjen e zjarrit.

Makina të shumta zjarrfikëse janë duke punuar aktualisht në zonë, zjarrfikëseve të Tiranës, u janë bashkuar edhe ato të Vorës, por ndihma ka ardhur edhe nga Durrësi, si edhe nga forcat e ushtrisë.

Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj, me anë të një postimi në “Twitter”, shkroi se të gjitha shërbimet e qytetit Emergjencat Civile, Zjarrfikës, Polici dhe Ushtri janë përfshirë në betejën me zjarrin”.

Ndërkohë i bën thirrje qytetarëve të evitohet zona. “Ju lutem evitoni kalimin ne zone gjer sa situata te vihet nen kontroll!”, shkruan në Twitter Veliaj.

Ndërkohë mësohet se edhe një biznes i dytë është përfshirë nga flakët, pasi zjarri është përhapur me shpejtësi të madhe.

Në këtë zonë është bllokuar qarkullimi dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike nga OSHEE, për të shmangur përkeqësimin e situatës nga shkëndijat elektrike./Fraksion.com