AktualitetBota+Të fundit

Herta Müller, viktimë e kotësirave rumune

Nobelistja e letërsisë, Herta Müller është pezulluar si anëtare nga Shoqata e Shkrimtarëve Rumunë. Por sipas saj, ajo asnjëherë nuk ka qenë anëtare. Një çështje politike me pasoja.

Tingëllon si një nga anekdotat e radios fiktive Erivan nga koha komuniste: A është e vërtetë që udhëheqja e partisë i ka dhënë një automjet anëtarit të saj të nderuar, Ivan Ivanoviç? Përgjigja: Parimisht po. Por atij nuk iu dha makina, por iu mor. Kështu pak a shumë tingëllon edhe skandali i fundit i Shoqatës së Shkrimtarëve Rumunë e në qendër të tij nobelistja Herta Müller.

Me origjinë nga Banati, një rajon në Rumaninë Perëndimore, Müller ka qenë e njohur në vendlindje që para largimit të saj në Gjermaninë Perëndimore në vitin 1987. Ajo është pjesë e pakicës gjermane shvabe të Banatit. Bashkë me disa kolëge të „Grupit Aksioni i Banatit” ajo ra në sy të sigurimit policor rumun për shkak të teksteve të saj kritike.

Një anëtarësi e paditur

Libri i saj me proza „Ulësi” u botua i censuruar në vitin 1982 në Bukuresht. Përmes rrugëve të ndryshme ai erdhi në Gjermani, ku u botua i pacensuruar në vitin 1984 në shtëpinë botuese Rotbuch. Aty autorja bën fjalë për spiunim dhe presionet e sigurimit të shtetit. Pasojat ishin kërcënimi dhe denigrimi, sipas Müller. „Kush më mohonte, tregonte dashurinë për atdheun”, rrëfen ajo në një interviste për FAZ. Kjo duket se nuk ka humbur aktualitetin e trishtueshëm as sot.

Para disa ditësh, Herta Müller që jeton në Berlin u informua se është përjashtuar nga Shoqata e Shkrimtarve Rumunë sepse nuk ka paguar shumën vjetore të anëtarësisë. Kjo masë nuk prek vetëm atë, por edhe autorë të tjerë nga Banati që jetojnë në Gjermani, si William Totok. Më vonë shoqata bëri një kthim mbrapa e foli për „pezullim”.

“Mos është shaka kjo?” Ky ishte reagimi i parë për lajmin. Në një prononcim për Deutsche Welle ajo shkruan se „nuk e dija që jam në Shoqatën e Shkrimtarëve Rumunë”. Nuk më ka pyetur kush, nëse dua të anëtarësohem dhe nuk më ka bërë askush të ditur, pavarësisht pse, se jam e pranuar.” Më shumë se kaq, ajo nuk ka marrë asnjë faturë për pagesën e anëtarësisë.

Teater absurd

Kur jetonte në Rumani, ka pasur një propozim për ta pranuar shkrimtaren Herta Müller  në shoqatë. Por atëherë anëtarësinë Herta Müller e lidhi me anëtarësimin e autorit tjetër, William Totok. Për shkak se ai nuk u pranua, as Müller nuk u bë pjesë e shoqatës. Që atëherë ajo nuk ka më kontakt me shoqatën. Në prononcimin e saj theksohet: „Si mund ta quash këtë teatër absurd? Përmbledhje si dikur? Dikush vendos përtej meje dhe më bën për këtë përgjegjëse? Procedura demokratike këto nuk janë”, sipas Herta Müller.

Shkrimtari William Totok e konfirmon këtë për Deutsche Wellen. Si është e mundur që të dy autorët janë anëtarë të shoqatës? „Pas vitit 1989, shoqata si shenjë e hapjes ka pranuar disa autorë që jetojnë jashtë, por pa i informuar zyrtarisht”, thotë Totok.

Pozë rumune

Kjo situatë ka një epilog jo të këndshëm në Rumani, sepse debati është hapur në një moment të zgjedhjeve të reja për drejtuesit e shoqatës. Kasta e vjetër rreth kritikut letrar dhe publicistit Nicolae Manolescu kërkon papritur pas 28 vitesh ndryshim, të respektojë statutet? Autorë të tjerë flasin për skandal. Në vend që të jenë krenare për një nobeliste në radhët e tyre, drejtuesit e shoqatës, duan tani mbështetje për rizgjedhjen e tyre nga shkrimtarë pjesërisht pa asnjë ndikim, por thellësisht „patriotikë”.

Në rrjetet sociale megjithatë ka shpërthyer një fushatë kundër Herta Müller. Në gazetat rumune po ashtu. Dy shembuj të tregojnë se denigrimet kanë edhe ngjyrime antisemitiste: „Hebraiket si rregull janë shumë të shëmtuara por Herta trashaluqe i mund të gjithë!” apo në një gazetë tjetër „Nuk kemi nevojë për nobelistë që nuk paguajnë borxhet e tyre. Le të rrijë në Gjermani ajo e të mos na hiqet më e mençur se ne.” Kjo sipas motos të përmendur nga Herta Müller në intervistën me FAZ: „Kush më mohonte mua, tregonte dashurinë për atdheun.” Kjo ndodh 31 vjet pas largimit të saj nga Rumania. E këtu merr fund çdo shaka./Robert Schwartz/DW