AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Përjashton nga Kryesia e PD 24 politikanë, edhe dhëndrin e Berishës

Paketa me ndryshimet në statutin e Partisë Demokratike, përpos përfshirjes së Jozefina Topallit në Këshillin Kombëtar dhe ndryshimin e rregullave për zgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetar bashkie, ka prodhuar edhe një surprizë të tjetër.

Ndryshimet në statut, miratuar ditën e premte nga Këshilli Kombëtar, përjashtojnë Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, nga Kryesia e Partisë Demokratike. Krahas Malltezit nga Kryesia e PD largohen automatikisht edhe krerët kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve të Përhershme Parlamentare që i përkasin PD.

Në total, nga Kryesia e PD përjashtohen automatikisht 25 figura të kësaj partie. Të gjithë të përjashtuarit, për t’u bërë sërish anëtarë të Kryesisë, duhet të kandidojnë dhe të zgjidhjen me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar. Por, me votim nga Këshilli Kombëtar, mund të zgjidhjen vetëm 15 anëtarë, një numër mjaft i reduktuar në krahasim me numrin e të larguarve.

Po si u përjashtu Malltezi nga Kryesia e PD, gati një vit pasi Lulzim Basha nuk e futi në listën e kandidatëve për deputetë? Statuti i ri i partisë më të madhe në opozitë ka ndryshuar përbërjen e Kryesisë, duke u hequr të drejtën krerëve të departamenteve për të qenë anëtarë të Kryesisë së Partisë Demokratike. Neni 39 i statutit aktual të PD parashikon që, Kryesia e Partisë Demokratike, përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i Përgjithshëm, drejtuesit e departamenteve etj.

Jamarbër Malltezi është kreu i departamentit të Ambientit, Pyjeve dhe Turizmit në Partinë Demokratike, ku si tillë ishte automatikisht anëtar Kryesie. Por, sipas statutit të ri, i konfirmuar nga Këshilli Kombëtar, krerët e departamenteve nuk mund të jenë më anëtarë të Kryesisë. Neni 52 i statutit të ri parashikon që Kryesia e PD përbëhet nga kryetari i partisë, nënkryetarët e partisë, sekretari i përgjithshëm, sekretarët funksionalë etj., por jo nga krerët e departamenteve.

Ky ndryshim ka përjashtuar automatikisht Jamarbër Malltezin dhe të gjithë drejtuesit e tjerë të departamenteve nga Kryesia e PD. Ashtu si Malltezi, nga Kryesia largohen edhe krerët e tjerë të departamenteve si Suzana Guxholli, Florion Mima, Sherefedin Shehu, Jemin Gjana, Bardh Spahia, Ardian Turku, Tritan Shehu etj.

Të larguarit e tjerë; Me ndryshimet e reja në statut, nga Kryesia e PD largohet edhe Genc Pollo, i cili mban postin e kryetarit të Komisionit të Integrimit Evropian. Të drejtën për të qenë anëtare e Kryesisë së PD e humbet edhe zonja Jorida Tabaku, e cila është zëvendëskryetare e Komisionit të Ekonomisë. Nga Kryesia e PD ikën edhe Flamur Noka, i cili mban postin e zëvendëskryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare. Albana Vokshi, si kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nuk do të jetë më anëtare e Kryesisë së PD.