Vasili: Kemi një gjyqësor të kapur
Kreu i grupit parlamentar të LSI Petrit Vasili gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët theksoi se raporti i publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, tregon rrënimin e qeverisë dhe në krye qëndron kryeministri.
“Raporti i DASH tregoi rrënimin e qeverisë aktuale të Shqipërisë, qeverisjen e korruptuar në çdo degë të saj dhe drejtësinë e kapur. Në krye të këtij mashtrimi publik qëndron kryeministri. Sipas DASH, nuk po ndodh ndjekja penale e zyrtarëve të lartë. Kemi një gjyqësor të kapur, teksa ekziston vetëm fjala reformë, por jo drejtësi”, tha Vasili.
Por edhe Deklarata më herët, nënkryetari i LSI-së ka shkruar edhe në Facebook:
“DASH nxjerr në dritën e diellit kalbësirën shtetërore që ka ndërtuar kryeministri. DASH tregon qartë sesa skandaloze është kapja e medies dhe autocensura e saj. Lindja e ERTV-së si televizion i ngjashëm i Saddam Husseinit dhe nënshtrimi i turpshëm i televizioneve që transmetojnë atë, janë produkt i kryeministrit hajdut dhe manipulator të lirisë së medias. DASH tregon se praktikisht zgjedhjet janë shkatërruar nga blerja e votës. Korrupsioni ka pllakosur çdo degë të qeverisjes, pasi frymëzuesi më i madh i korrupsionit është vet kryeministri.
Reforma në Drejtësi është shkatërruar, e tashmë drejtësia e kryeministrit garanton që ai dhe ministrat të mos hyjnë në burg, por njerëzit e thjeshtë e pa pushtet të burgosen pa faj, si qytetarët kuksianë. Tashme çdo qytetar, por edhe gazetar, e ka të qartë alarmin që vjen nga Amerika. Ky kryeministër i mbërthyer nga droga e krimi dhe i shantazhuar prej tyre haptas në Parlament, media e kudo, është thjesht një peng i tyre dhe rrënues i vendit. Koha nuk pret. Shqiptarët janë pa drejtim”, shkrun ai.