AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Në zyrat e shtetit ka grabitqarë dhe parazitë

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier ku zhvilloi një takim me drejtues vendorë e qendrorë për të folur lidhur me çështjet e punësimit, reformën e tokës dhe ujit.

Sipas kreut të qeverisë, në zyrat e shtet ende ka grabitqarë e parazitë që jo vetëm nuk e bëjnë punën e tyre por  e vështirësojnë më shumë zgjidhjen për qytetarët. Rama sugjeroi bashkëpunimin e drejtuesve vendorë me qeverisjen qendrore përmes platformës së bashkëqeverisjes, përmes të cilës sipas Ramës synohet të çohen shërbimet në një nivel tjetër.

“Qytetarët duhet të marrin vetë mesazhin se nuk duhet të zgjedhin metoda të tjera, por të drejtohet në platformën e vetëqeverisjes dhe brenda 10 ditësh do marrin një përgjigje për problemin e tyre. Interneti është një metodë shumë efikase për të shmangur abuzimet.

Nevoja për titujt e pronësisë dhe të legalizimit është shumë e madhe, sipas kryeministrit, teksa platforma ka nxjerrë në pah padrejtësitë që u bëhen qytetarëve.

“Në këtë proces është shprehur vullneti ynë që për çdo rast kur qytetari ka të drejtë, e atë që s’e ka marrë për vite të tëra e merr brenda 10 ditësh, ne nuk ndalemi me kaq por evidentojmë shkaktarët duke i larguar nga puna dhe duke i çuar edhe në ndjekje penale. Sot janë mbi 80 raste largimesh nga puna në hipotekë, për shkak të ankesave të qytetarëve. Sigurisht edhe një numër i konsiderueshëm masash paralajmëruese për drejtuesit e hipotekave. Vonesat, zvarritjet e mosdhënia e shërbimeve janë në radhë të parë përgjegjësi e tyre, e nuk mund të fshihen pas një punonjësi. Qytetarët duhet të marrin mesazhin se nuk është e nevojshme të humbasin kohë për të gjetur zgjidhje në forma të ndryshme, mjafton të drejtohen në platformën e bashkëqeverisjes”, tha më tej kryeministri.

Ndërsa kreu i Bashkisë së Fierit, në fjalën e tij u ndal në dy problematika sa i takojnë këtij qyteti, që janë certifikimi i tokave bujqësore dhe reforma e ujit.

“Dy probleme i takojnë Bashkisë së Fierit. Së pari më lejoni të flas për procesin që kemi nisur dy vite më parë që ka të bëjë me një plagë të madhe sidomos në fshat, si certifikimi i tokave bujqësore. Një histori shumëvjeçare në Shqipëri, për të cilën ne kemi ngritur një zyrë të posaçme që pret fermerët që plotësojnë apo dorëzojnë dosjet e tyre. Kemi identifikuar 10 fshatra në projektin pilot, për zgjidhjen e problemit të bartur ndër vite, e gjykuam se kjo histori mund të zgjidhet duke e marrë sipas zonave kadastrale. Jemi shumë pranë prodhimit të certifikatave për fshatin e parë, e brenda 2-3 javësh do të prodhohen e shpërndahen certifikatat. Ky proces i parë na mësoi të gjithëve për ato që duhet të riparonim, e këtë proces do ta vazhdojmë me intensitet të plotë. Një moment i dytë ka të bëjë me reformën e ujit. Aksioni që ka filluar në gjithë Shqipërinë, e kemi bërë hapa të rëndësishëm së bashku me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, përfshi këtu lidhjet e paligjshme të këputura, numrin e sahatëve të rinj të vendosur, kontratat e reja të nëshkruara etj. Nga ky moment e tutje nuk do të akumulohen më borxhe, por me të ardhurat që mbledh do të përballohen shpenzimet operative. Ne si bashki vetëm në dy vitet e ardhshme do të ofrojmë 160 mln lekë në ndërtimin e dy ujësjellësave të rinj, që do të rrisin numrin e abonentëve dhe cilësinë e furnizimit, sidomos në zonat rurale, ku ekziston më i theksuar problemi i abuzimit dhe shpërdorimit të ujit”, deklaroi kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi.