Mattis: SHBA-të do të godasin sërish Sirinë nëse shpërfill mesazhin
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë të gatshme të godasin sërish Sirinë, nëse Bashar al-Asadi dështon të pranojë porositë e dhëna përmes sulmeve të javës së kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
“Do të ishte i keq-këshilluar nëse shpërfill mesazhin e bashkësisë ndërkombëtare, prandaj jemi të gatshëm për çdo gjë në të ardhmen”, u tha Mattis gazetarëve, për të shtuar se ka parë një mbështetje universale, për atë të cilën e quajti “sulm të urryer, por të nevojshëm”, mbi lokacionet e armëve kimike të Asadit.
Komentet e Mattisit u bënë pas takimit që realizoi me homologun e tij japonez, Itsunori Onodera, në Pentagon.
Ministri Onodera, deklaroi se sulmi mbi objektivat e Asadit ka folur për përkushtimin e bashkësisë ndërkombëtare për t’u përballur me rreziqet nga armët e shkatërrimit në masë.
“Mendoj se njëkohësisht i dha mesazh të fortë edhe Koresë së Veriut”, tha ai për të shtuar se Washingtoni dhe Tokio duhet të punojnë “sinergjikisht” me bashkësinë ndërkombëtare, për ta detyruar Korenë e Veriut të braktisë armët e shkatërrimit në masë, bashkë me programin e raketave balistike.