AktualitetPolitikëTë fundit

Rikthimi: Haki Çako, këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes

Largimi nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë në kulmin e akuzave për përfshirje të forcave të rendit në trafikun e drogës, duket se nuk ka ndikuar në njollosjen e figurës së Haki Çakos, i cili është rikthyer në administratën shtetërore.

Roli i zyrtarit të lartë që do të mbajë këtë herë Çako është në një dikaster tjetër të kabinetit qeveritar. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është emëruar këshilltar për çështjet e emergjencave në Ministrinë e Mbrojtjes.

Janë burime brenda këtij dikasteri që kanë konfirmuar emërimin e Haki Çakos, ndërsa nënvizohet se ai gëzon detyrën e re prej 10 ditësh tashmë.

Çako u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm në ditët e para të janarit të këtij viti. Gjatë ushtrimit të detyrës ai u vendos në qendër të akuzave të Partisë Demokratike për lidhje me trafikun e drogës dhe zbatim të urdhrave të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për liri në veprimin e grupeve kriminale, por edhe për çështjen e shumëdebatuar të radarëve./ Shqip