Rama; komunikon me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave
Kryeministri Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë në Fier, shpjegoi për gazetarët në një konferencë për mediat, vendimet që janë marrë, ku fokusi është vendosur në miratimin e projekteve infrastrukturore në këtë qark dhe dhënien e ndihmës për fermerët e shumtë në zonë.
Rama tha se rehabilitimi i qendrës dhe zonës së çliruar të lumit Gjanica që përshkon mes përmes qytetin dhe që deri pak muaj më parë ishte i fshehur pas ngrehinave pa leje dhe ishte kryer në burim problemesh shumë vjeçare për Fierin, është vetëm një prej projekteve madhore të qeverisë në këtë bashki.
Ai tha se janë ndërmarrë një sërë politikash nxitëse në funksion të zhvillimit rural dhe në mbështetje të fermerëve, të cilët në këtë zonë janë të përkushtuar dhe interesuar për të rritur ekonominë e tyre përmes punës së palodhur me tokën.
“Kemi miratuar një paketë ndërhyrjesh prioritare në këtë qark për vitet 2018-2021. Një pikë të veçantë zë mbështetja e turizmit me Apoloninë dhe Ardenicën si dy qendra të rëndësishme dhe me potencial të madh për të nxitur zhvillimin e turizmit, por edhe rrugët bregdetare dhe ndërtimi i infastrukturës së hotelerisë në zonën e plazhit. Energjia gjithashtu së një vend të rëndësishëm në ekonominë e qarkut dhe gjendet në hartën e projekteve strategjike si TAP dhe linja e interkonjeksionit 400 kW që shkon në Maqedoni. Përfundimi i Bypassi-t të Fierit pas zgjidhjes së një kontrate katastrofike dhe rifillimi i procedurës për rindërtimin e rrugës Fier-Seman. Janë dy projekte që do fillojnë së shpejti”, tha kryeministri Rama.
Rama thotë se ky projekt do t’i japë zgjidhje përfundimtare grumbullimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane dhe për më tepër prodhon energji të gjelbër për zonën.
Rama duke folur për vendimet dhe listën e re të barnave të rimbursueshme, ai tha se sigurimi i Herceptinës është falas nga qeveria.
“Së pari për listën e re të barnave të rimbursueshme e cila është zgjeruar për të mbuluar më shumë nevoja të qytetarëve. Përveç 36 barnave të reja që do të rimbursohen nga shteti për të gjithë njerëzit në nevojë për medikamente, do të përfshihet edhe herceptina, një trajtim për kancerin e gjirit, një trajtim shumë i shtrenjtë dhe shumë problematik. Tani më do të përfitohet tërësisht falas në të gjitha spitalet publike të Republikës. Bëhet realitet një zotim me peshë jo të vogël financiar dhe nuk do ketë më asnjë mungesë të trajtimit me herceptinë për të gjitha gratë dhe vajzat që do të kalojnë kalvarin e përballjes me tumorin e gjirit”, tha Rama.