Pentagoni: Nuk synojmë ndryshimin e ekuilibrit strategjik të Sirisë
SHBA-të nuk synojnë të ndryshojnë ekuilibrin strategjik të konfliktit në Siri me sulmin e fundit të përbashkët kundër regjimit të Bashar al-Asadit, sipas një zyrtari të lartë ushtarak, raporton Anadolu Agency (AA).
“Nuk mendoj se ne kërkuam të ndryshojmë ekuilibrin strategjik të Sirisë me ato sulme”, tha gjenerali Kenneth McKenzie, drejtor i Shtabit të Përbashkët.
Në një konferencë për media të Pentagonit, McKenzie tha se “ata kërkuan të dërgojnë një mësim se është praktikë e keqe helmimi me gaz i grave dhe fëmijëve”.
Forcat e regjimit të Asadit goditën objektivat në rrethin Duma në periferi të Gutës Lindore në fillim të këtij muaji, duke përdorur një gaz toksik, i cili sipas Mbrojtjes Civile të Sirisë “Helmetat e Bardha”, la të paktën 78 civilë të vdekur.
Pas sulmit me gaz toksik, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Franca nisën sulme duke shënjestruar bazat e armëve kimike të regjimit të Asadit.
I pyetur nëse SHBA-të u përballën me Rusinë gjatë sulmit të përbashkët, McKenzie tha se megjithëse sistemi i avancuar rus i mbrojtjes ajrore S-400 ishte aktiv, ai nuk arriti raketat e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-të.
“Mbrojtja ajrore ruse u aktivizua, ata po skanonin. Ata lartë kishin avionin kryesor shtetëror të mbrojtjes ajrore. Ata nuk vendosën të arrijnë, kështu që nuk mund të spekuloj përse e bënë apo nuk e bënë atë”, u përgjigj ai.
Sipas McKenzie-t, pjesa tjetër e aftësisë së mbrojtjes ajrore të Sirisë, e cila u sigurua nga Rusia, u angazhua gjerësisht dhe tërësisht dështoi.
Duke deklaruar se koalicioni i udhëhequr nga SHBA-të kishte planifikuar dhe analizuar operacionin në një mënyrë për të parandaluar rrjedhje kimike nga zonat e goditura, McKenzie shtoi se koalicioni ishte i suksesshëm, bazuar në faktin se nuk pati viktima.
Në përgjigje të një pyetjeje rreth mendimeve të tij mbi reagimin e regjimin sirian ndaj raketave të koalicionit kur operacioni ishte kryer, McKenzie e përshkroi atë si “konfuz dhe kaotik”. “Ata nuk kishin një pamje të qartë të asaj që po u ndodhte atyre”, tha ai duke iu referuar regjimit të Asadit.
Nga ana tjetër, duke kundërshtuar pretendimin e Moskës se sistemi i mbrojtjes ajrore i Rusisë hodhi poashtë shumicën e raketave, zëdhënësja e Pentagonit, Dana White, tha se mbrojtjet ajrore të prodhuara nga rusët dhe të operuara nga ekipet siriane, ishin krejtësisht të padobishme.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore të prodhuara nga rusët ishin krejtësisht joefektive. Rusia dhe regjimi demonstruan joefektivitetin e sistemeve të tyre përsëri dy ditë më vonë, kur sistemi u angazhua rastësisht”, tha White.
Periferia e Damaskut në Gutën Lindore është nën rrethim për pesë vitet e fundit. Qasja humanitare në këtë zonë, e cila është shtëpi e 400 mijë njerëzve, është ndërprerë plotësisht.
Forcat e regjimit të Asadit kanë intensifikuar rrethimin e tyre, duke e bërë pothuajse të pamundur që ushqimi dhe ilaçet të hyjnë në lagje dhe duke lënë pa trajtim mijëra civilë në nevojë.