Këshilli i PD, Basha rrëzon Imamin
Në orën 18:00 siç edhe ishte paralajmëruar ka nisur mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku po diskutohen ndryshimet në statutin e kësaj force politike, por edhe propozimet e mbërritura.
Në mbledhje mungon lideri historik i PD, Sali Berisha por janë të pranishëm disa kritikë të Bashës, ku më i njohuri është ish-ministri i Mbrojtjes, Arben Imami. Siç dyshohej edhe më parë ndryshimet kanë ngjallur debate me kritikët e Lulzim Bashës brenda partisë.
Sinjalet u dhanë që në fillim, kur një propozim i Imamit dhe kritikëve të tjerë të kreut të PD-së për të diskutuar më parë analizën për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar u hodh poshtë me forcën e votave.
Gjithashtu duke qenë se, mbledhjet e Këshillit Kombëtar nuk mund të zhvillohen pa praninë e më shumë se gjysmës së anëtarëve, anëtarja Endira Bushati ka thënë se shumë anëtarë të Këshillit mungojnë dhe nuk plotësohet kuorumi i duhur.
“Të plotësohet kuorumi, mungojnë shumë anëtarë të këshillit”, është shprehur ajo, por duket se kërkesa ka rënë në vesh të shurdhër.
Ndërkohë ndryshimet statutore që do t’i nënshtrohen votës finale në Kuvendin Kombëtar të 28 prillit neni për kryetarin nuk ka asnjë ndryshim thelbësor. Nuk parashikon dorëheqjen në rast të humbjes së zgjedhjeve.
Nuk parashikon as ngrirjen e funksioneve deri në zgjedhjen e kreut të ri, koncept që zoti Basha e praktikoi vete pas humbjes së thellë të zgjedhjeve deri në konfirmim e tij si kryetar me parimin një anëtar një votë.