Emmanuel Macron javën e ardhshme viziton Uashingtonin
Presidenti francez Emmanuel Macron do të vizitojë Uashingtonin javën e ardhshme (23-25 prill) për bisedime me homologun e tij amerikan Donald Trump në një kohë të mbushur me mosmarrëveshje transatlantike… që përfshijnë Iranin, tregtinë dhe statusin e Jeruzalemit. Vizita e zotit Macron është vizita e parë e plotë e një kreu shteti gjatë presidencës Trump – dëshmi kjo për marrëdhënien çuditërisht të ngushtë të krijuar ndërmjet të dyve. Por a mund të japë kjo vizitë rezultate të prekshme?
Pas fishekzjarreve dhe paradës ushtarake të zhvilluar për nder të presidentit Trump gjatë festimeve të Ditës së Bastijës vitin e kaluar në Paris, tani është radha e presidentit amerikan për t’i dhënë homologut të tij francez trajtimin me tapet të kuq. Në vend të një restoranti joshës në Kullën Eiffel, të dy udhëheqësit do të ulen në një pikë tjetër historike: Mount Vernon, shtëpia e presidentit të parë të Amerikës, Xhorxh Uashington.
Macron do të marrë përshëndetjen me 21-të shtëna topi … dhe do të ketë rastin t’i drejtohet Kongresit amerikan. Por përtej madhështisë dhe rrethanave, në axhendë do të ketë çështje të vështira.
“Kur zoti Trump erdhi në Paris vitin e kaluar… ishte gëzimi i fillimit… Tani ata duhet të punojnë dhe kjo është shumë më e vështirë”, thotë Philippe Moreau Defarges, ish diplomat francez.
Irani, tregëtia, Jeruzalemi, ndryshimet klimatike. Ka shumë fusha ku Presidenti Trump dhe Presidenti Macron nuk shihen sy më sy. Udhëheqësi amerikan nuk u ftua në një samit të klimës dhjetorin e kaluar, pasi u tërhoq nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Por sot, zoti Macron konsiderohet gjerësisht si i afërt me Presidentin Trump në Evropë. Njeriu që mund të interpretojë mënyrën e të menduarit të Trumpit për liderët e tjerë evropianë … dhe gjithashtu të luftojë për çështjet evropiane. Disa analistë e shohin këtë udhëtim në Uashington si një provë kyçe nëse ky akt balancues mund të funksionojë.
“Nëse krijon përshtypjen se është shumë i lidhur me Uashingtonin dhe Trumpin në veçanti, kjo mund të shkaktojë reagimin e kundërt në Francë, veçanërisht nëse interesat franceze dhe evropiane janë në rrezik nga një vendim që mund të marrë presidenti Trump”, thotë Alexandra De Hoop Scheffer, drejtore e Fondit Marshall në Paris.
Presidenti më i ri i Francës dhe më i vjetër i Amerikës janë një çift i çuditshëm. Macron beson në institucionet dhe aleancat multilaterale; Trump beson tek Amerika e Para. Macron është shumë punëtor; Trump është i dhënë pas Tweeterit.
“Ajo që me të vërtetë bashkon Francën dhe Shtetet e Bashkuara – dhe ajo që Gjermania dhe Britania e Madhe nuk mund t’i shesin Uashingtonit – është bashkëpunimi ushtarak. Kjo marrëdhënie e gjeneralit me gjeneralin”, thotë Alexandra De Hoop Scheffer.
Ky bashkëpunim është parë në luftimin e grupeve ekstremiste në Sahel … dhe sulmet e përbashkëta të javës së kaluar kundër objekteve të dyshuara të armëve kimike në Siri. Por, ndërsa Trump flet për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, Macron dëshiron të investojë në një proces afatgjatë të paqes. Franca dhe Europa gjithashtu janë të shqetësuara se Uashingtoni do të tërheqë përjashtimet tarifore … dhe do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin.
“Sot, ekziston një mosmarrëveshje shumë e madhe mes zotit Macron dhe zotit Trump për atë që do të ndodh me marrëveshjen bërthamore mbi Iranin”.
Të tjerë besojnë se dy udhëheqësit po ngushtojnë dallimet rreth Iranit. Ndoshta do ta bëjnë këtë edhe për çështje të tjera që do t’i lejojë ata të ndahen me të njëjtën buzëqeshje siç bënë korrikun e kaluar.